Uran Ismaili, Alban Hyseni, Besa Shahini, Përparim Rama, Zafir Berisha, Petrit Hajdari, Driton Selmanaj, Gëzim Krasniqi, Natyra Kuçi e Shpejtim Bulliqi janë 10 kandidatët për kryetarë që kanë shpenzuar më shumë në rrjete sociale për fushatë, sipas Institutit Demokratik të Kosovës.
KDI-ja ka publikuar disa të dhëna të cilat tregojnë shifrat e shpenzuara nga kandidatët për kryetarë të komunave në rrjetet sociale.
Sipas KDI-së, për tre javë fushatë, 51 nga 206 kandidatë për kryetarë të komunave kanë shpenzuar rreth 25 mijë euro për reklama online. Në këtë listë prinë kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Uran Ismaili, me 6 mijë e 318 euro të shpenzuara.
Sipas të dhënave të KDI-së, pas Ismailit renditet kandidati për komunën e Gjilanit, Alban Hyseni, me 2 mijë e 264 euro. Ndërsa e treta është kandidatja e Partisë Socialdemokrate për Prishtinë, Besa Shahini, me 1 mijë e 818 euro të shpenzuara. Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, deri më tani ka shpenzuar 1 mijë e 593 euro për reklama online. Pas tij renditet Zafir Berisha, kandidat për Komunën e Prizrenit, me 808 euro të shpenzuara.
Petrit Hajdari nga PDK ka shpenzuar 735 euro, Driton Selmanaj nga LDK 724 euro, Gëzim Krasniqi nga PDK 658 euro të shpenzuara, Natyra Kuçi nga PSD me 614 euro të shpenzuara dhe Shpejtim Bulliqi nga LVV me 584 euro të shpenzuara.