Zgjedhjet lokale

KDI: Fushata u karakterizua nga përdorimi i resurseve publike

Për fushatën e zgjedhjeve lokale, kandidatë për kryetarë komunash dhe për anëtarë të kuvendeve komunale kanë pasur në dispozicion 30 ditë. Përfaqësues të KDI-së e kanë vlerësuar fushatën si më të qetë dhe më përmbajtjesore sesa atë për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit. Por, kritika kanë dhënë për përdorimin e resurseve publike për qëllime elektorale

Të 30 ditët e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 12 tetorit kanë qenë më të qeta dhe më përmbajtjesore krahasuar me kampanjën për votimet e 9 shkurtit, kanë vlerësuar përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Fushata ka nisur më 13 shtator dhe ka përfunduar të dielën, me hapjen e vendvotimeve.

Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, ka thënë se e gjithë fushata është karakterizuar me përdorim të një gjuhe më të kujdesshme dhe më të përmbajtur nga kandidatët.

“Besoj që kjo fushatë ka qenë më programore sesa që kanë qenë fushatat paraprake, me partitë politike të cilat kanë promovuar dhe kanë shtyrë përpara çështje programore, madje edhe më inovative sesa në të kaluarën, por që një pjesë e tyre fatkeqësisht kanë qenë edhe jashtë kompetencave komunale”, ka thënë ai.

Por Cakolli ka theksuar se pati edhe raste kur janë përdorur resurse publike për qëllime fushate, si dhe vendime si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal.

“Me qeverinë, e cila ka cenuar garën e barabartë zgjedhore me ndarjen sidomos gjatë javës së fundit nga 100 euro për studentë, por edhe të një sërë masash të tjera që prekin familjet në nevojë, rastet me asistencë sociale e të tjera që kanë impakt të drejtpërdrejtë zgjedhor... Edhe komunat pothuajse të gjitha ose kanë përmbyllur projekte ose kanë filluar projekte.... por edhe me raste specifike sikurse rasti i Komunës së Prishtinës ta zëmë ku kryetari i Komunës pati vendosur që të lirojë nga pagesa e transportit publik një sërë kategorish të caktuara”, ka thënë Cakolli.

Ai ka përmendur edhe rastet e ndërhyrjes nga Serbia në komunat me shumicë serbe, nëpërmjet premtimeve që presidenti Aleksandar Vuçiq u bëri serbëve të Kosovës për 400 vende të punës në sektorin e shëndetësisë, që funksionon si sistem paralel.

Për këtë ndërhyrje dhe për presionin e Listës Serbe mbi partitë e tjera të komunitetit serb, Qeveria i ka kërkuar Bashkimit Evropian që të reagojë dhe ta sanksionojë Serbinë.

Gjatë fushatës, kandidatë për kryetarë komunash e për kuvende komunale kanë bërë shpenzime të mëdha në rrjete sociale. Sipas KDI-së, për këtë synim vetëm në dy javët e para të fushatës, 51 kandidatët kanë shpenzuar rreth 25 mijë euro.

E gjatë 30 ditëve të fushatës, partitë politike edhe janë gjobitur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa shkaku i shkeljes së rregullave zgjedhore.