Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bytyqi: E vetmja pikë e veçantë e Rezolutës është Komisioni Hetimor për vrasjen e Zekajt, tjerat të panevojshme

Ardian Bytyqi

Analisti politik, Ardian Bytyqi ka thënë se e vetmja pikë e veçantë e Rezolutës së miratuar në Kuvendin e Kosovës është themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe sipas tij 13 pikat e tjera ishin të panevojshme.

Bytyqi në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se nuk është e nevojshme të ndërtohen qendra shtetërore për strehim kur mjafton vetëm të fuqizohen Qendrat për Punë Sociale.

“Kjo rezolutë me 14 pika në fakt është sa për t’u munduar të bëhet diçka tjetër që nuk është bërë më herët. Një prej pikave të rezolutës është për ndërtimin e Qendrave Shtetërore për Strehim, pse kemi nevojë të ndërtojmë institucione paralele shtetërore kur i kemi Qendrat për Punë Sociale. Mjafton pra t’i fuqizojmë Qendrat për Punë Sociale. E vetmja e pikë e veçantë e kësaj rezolute është Komisioni Hetimor. Kjo është ajo kryefjala e komplet rezolutës dhe të gjitha 13 pikat e tjera nuk ka pasur nevojë as të shkruhen fare”, ka thënë Bytyqi.

Bytyqi ka thënë se dy komisionet ekzistente, ai për të Drejtat e Njeriut dhe për Legjislacion e Imunitete do të duhej të kishin më shumë monitorim për punën e Gjykatave dhe Prokurorisë

“Kuvendi i Kosovës mbase i ka dy komisione që është Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni për Legjislacion dhe Imunitete, prandaj do të duhej që këto dy komisione të kishin më shumë monitorim rreth punës së gjykatave e prokurorisë. Ne po shohim dy pasqyra, e para është që askush nuk po dëshiron të marrë përgjegjësinë për rastin që ka ndodhur. Nga 2010-a ne e kemi parë që faji është hedhur nga një institucion te një tjetër”, ka deklaruar Bytyqi.

Analisti Bytyqi është shprehur nga viti 2010 kemi rreth 67 vrasje të grave ndërsa vetëm këtë vit tetë dhe siç ka thënë – ne jemi duke kaluar në një fazë kur femicidi po duket haptas.

Lexo përditësimet tjera
Konfront

Vrasja e grave, drejtësia dhe lufta politike - "Konfront"