Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Rëndohet gjendja për Prishtinën, BAT-i e sanksionon për dy raste

Sigal Prishtina

Sigal Prishtina nuk e ka publikuar fare rezultatin e ndeshjes ndaj Borës, të luajtur në fundjavë. Prishtina e humbi thellë derbin e qytetit, por ky nuk është problemi i vetëm për klubin me më së shumti trofe në vend.

Sigal Prishtina aktualisht është e sanksionuar nga Tribunali i Arbitrazhit të Basketbollit (BAT) të FIBA-s. Bëhet fjalë për organin që vendosë kur ka mosmarrëveshje të lojtarëve, trajnerëve dhe agjentëve me klube.

Javën e kaluar Prishtina u sanksionua nga BAT-i i FIBA-s për një rast të humbur. Ndërkohë të martën figuron në faqen zyrtare të FIBA-s që Prishtina është e sanksionuar për dy raste të ndryshme të humbura.

Sanksionimi nga BAT-i nënkupton se Prishtina nuk mund të regjistrojë lojtarë të rinj. Fillimisht duhet të kryej obligimet apo të arrijë marrëveshje me palët që kanë fituar rastet ndaj saj në BAT të FIBA-s. Më pas hiqet sanksioni dhe klubi mund të regjistrojë lojtarët e rinj.

Jo rrallë klubet kosovare janë në listën e të sanksionuarve. Prishtina këtë problem e pati gjatë verës, ndërsa njoftoi se bëhet fjalë për borxhe të trashëguara nga kampionati i kaluar. Pasi nuk arriti marrëveshje me kohë, Prishtina nuk mundi t’i regjistrojë me kohë lojtarët e rinj. Dhe për këtë arsye nuk e luajti ndeshjen e xhiros së parë ndaj Pejës. Atë e humbi me rezultat zyrtar. Ndërkohë BAT-i hoqi sanksionin ndaj Sigal Prishtinës që i regjistroi gjithë lojtarët dhe nisi me ndeshje. Por Prishtina figuron në BAT sërish nga java e kaluar dhe tani është e sanksionuar për dy raste të ndryshme.

Edhe Prishtina sërish sanksionohet nga BAT-i Basketboll Prishtina sërish sanksionohet nga BAT-i

Prishtina humbi nga Bora me rezultatin 76:57. Tani ka tri fitore e tri humbje në Superligë. Por ka tetë pikë e jo nëntë, pasi nuk i takoi pika e humbësit për ndeshjen e xhiros së parë ndaj Pejës, që u regjistrua me rezultat zyrtar.

Aktualisht Prishtina është klubi i vetëm kosovar që figuron si i sanksionuar nga BAT-i. Ndaj Borës, Prishtina në përbërje i kishte katër basketbollistë të huaj. Zëvendësimi i tyre eventual, aktualisht është i pamundur.