Avokati Visar Rrecaj ka thënë se prokurorët e gjyqtarët e rinj, pa përvojë jetësore, janë një nga arsyet që po ndodhin rastet e vrasjeve në familje.
Rrecaj në “Konfront” të KTV-së ka thënë se këta prokurorë e gjyqtarë nuk kanë përvojën për të gjykuar raste të tilla.
“Ky Kuvend, kjo Qeveri, Këshilli Prokurorial e Këshilli Gjyqësor kanë faj të veçantë. Ai faj rrjedh nga Kuvendi i Kosovës që ka miratuar ligje për të rekrutuar prokurorë e gjyqtarë pa përvojë jetësore. A e dini çfarë është përvoja jetësore? Nuk mund të kesh gjyqtar 23-vjeçar. I mungon përvoja jetësore. Thonë e ka kryer fakultetin. Më fal, s’mund të gjykosh. S’mund të jesh prokuror nëse nuk ke përvojë jetësore. Çka është përvoja jetësore? Pse s’po e zgjedhin president dikë me 23 vjet. Se i themi është i papjekur. Gjyqtari e prokurori që është në moshë tepër të re, që nuk ka prëvojë jetësore, prokuror e gjyqtar të nivelit të fmijaqave, janë arsyet pse po ndodhin rastet e tilla”, tha Rrecaj.
Ai tha se këta gjyqtarë e prokurorë s’kanë përvojë e “nuk e dinë çka është familja”.
“Nuk i ka ardhur rasti me krijuar familje dhe gjykon për rastet e dhunës në familje. Ata nuk e dinë çka është fëmija, nuk e kanë pasur rastin ende, e lihen të gjykojnë për të mitur. Mungesa e përvojës jetësore do të prodhojë vendime jo të zbatueshme në praktikë. Mungesa e përvojës jetësore, do të derivojë aplikimin e zbatimit të ligjit në mënyrë robotike. Pse robotike? Një gjyqtar në Pejë, në rastin e zonjës që ndërroi jetë, ka lëshuar urdhër mbrojtje për mosafrimin me njëri-tjetrin në 2 metra. Ku? Në shtëpinë e njëjtë. A mund të ma shpjegoni këtë? Ai është djalë i ri, ashtu shkruan në ligj”, tha Rrecaj.
Rrecaj ka thënë se infrastruktura ligjore në Kosovë është tejet e avancuar, sa i përket Ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje.
“Është ligj tejet modern, ndoshta edhe Suedisë nuk i shkon shumë për shtati. Ligj tejet modern, sa që nuk je kërkah në aspektin logjistik me strehimore, me kushte shtetërore, me QPS. Je krejt ‘out’. Prandaj s’mund të zbatohet ai ligj në Republikën e Kosovës kur ke mungesa elementare”, tha Rrecaj.