Fejza e VV-së thotë se në Kuvend ka deputetë me akuza për dhunë në familje
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka deklaruar se në Kuvend ka deputetë me akuza për dhunë në familje, por ajo nuk ka arritur të tregojë nëse e di për një deputet konkretisht. Ajo ka përmendur deputetin e Aleancës, Ramush Haradinaj, kur dha këtë deklaratë, megjithëse përveç disa raportimeve të mëhershme, asnjëherë ndaj Haradinajt nuk ka pasur procedurë ligjore.
Fejza ka arsyetuar deklaratën e saj për Haradinajn se ai “është përfolur për dhunë në familje”.
Fejza ka insistuar se ajo çka i duhet Kosovës të ndryshojë në raport me parandalimin e dhunës me bazë gjinore është ndryshimi i mentalitetit.
“Ajo çka ka urgjentisht nevojë të diskutohet, analizohet dhe të ndryshojë thellësisht është mentaliteti. Nuk mund në asnjë moment ta shmangim atë që mendoj është tepër e rëndësishme që ka të bëjë me mentalitetin dhe mënyrën si shoqëria jonë e trajton dhunën ndaj grave dhe dhunuesin. Jetojmë në një shoqëri ku jo vetëm në institucionet, po edhe media, kemi plot individë që kanë akuza për dhunë në familje dhe dalin e moralizojnë në emisionet tona për çdo natë në studio televizive. Kemi në Kuvend njerëz që kanë akuza për dhunë në familje... Unë kam lexuar në media që ish-kryeministri, kryetari i AAK-së, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes”, ka thënë ajo në “Konfront”.
Ramaj: U irritova më shumë pasi dëgjova diskutimin në Kuvend sesa kur e kuptova vrasjen
Gazetarja Saranda Ramaj ka thënë se diskutimi i zhvilluar në Kuvendin e Kosovës për vrasjen e Arlinda Zekajt e ka irrituar më shumë sesa momenti kur kishte marrë vesh për vrasjen dhe identitetin e viktimës.
Ajo ka kritikuar politizimin e diskutimit për dhunën ndaj grave, duke thënë se një ditë që duhej të shërbente për reflektim, zi dhe bashkim kundër dhunës me bazë gjinore, u shndërrua në përplasje politike mes palëve.
“Diskutimi i mbrëmshëm në Kuvend më irritoi, do të thotë, isha më e irrituar pas diskutimit sesa një natë para, kur e kuptova vrasjen dhe kush është viktima. Një ditë shumë e rëndësishme që do të duhej të ishte ditë zie, ditë reflektimi, një farë dite përbashkimi që dhuna në baza gjinore ish dasht me na bashku, pasi nuk i prek votuesit e një partie, na prek secilin prej nesh. Diskutimi dje mori karakter politik, ia orientonin gishtin njëri-tjetrin gishtin kush ka bërë më shumë e kush më pak. Do të ketë Kuvendi raste të tjera për të diskutuar për këto çështje”, ka thënë Ramaj në “Konfront” të KTV-së.
Ajo ka thënë se në Kosovë vrasjet e grave po shndërrohen në sensacion nga mediat, hetuesit, politika dhe rrjetet sociale.
VIDEO:
“Fatkeqësisht, në Kosovë vrasja e grave po kthehet në sensacion. E kthen media, hetuesit, politika, rrjetet sociale. Duam me sensacionalizu në mënyrë të padrejtë”, shtoi Ramaj.
Sipas saj, çështja kryesore nuk është domosdoshmërisht mungesa e infrastrukturës ligjore për trajtimin e rasteve të vrasjeve dhe dhunës me bazë gjinore, por efikasiteti i mekanizmave ekzistues.
Gazetarja ka ngritur shqetësimin edhe për mentalitetin patriarkal, duke theksuar se ndryshimi i tij është i nevojshëm jo vetëm në media dhe politikë, por veçanërisht në polici, prokurori dhe gjykata.
“Shqetësim është se nuk e di qysh do të ndërrojë ky mentalitet patriarkal edhe në media, edhe në politikë, por më e rëndësishme në polici, prokurori e gjykata”, deklaroi Ramaj.