Tek kanë mbetur edhe shtatë ditë deri në përmbylljen e fushatës elektorale, subjekteve politike u janë shqiptuar gjoba të reja për shkelje të rregullave zgjedhore. Nga shuma totale prej 5 mijë e 100 eurosh, gjoba më e lartë – prej 2 mijë eurosh – iu shqiptua Lëvizjes Vetëvendosje. Thuajse të gjitha janë dhënë shkaku se kandidatët shfrytëzuan resurset publike për fushatë
Mbi 5 mijë euro është vlera totale e gjobave që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) u ka shqiptuar brenda një dite subjekteve politike për shkelje të rregullave zgjedhore.
Gjoba më e lartë, prej 2 mijë eurosh, iu shqiptua Lëvizjes Vetëvendosje, shkaku i postimit të kandidatit të saj që e synon edhe një mandat si kryetar komune në Shtime, Qemajl Aliu, në faqe zyrtare të komunës.
“Paneli, pasi që shqyrtoi pretendimet kërkimore, ka gjetur se nga prova materiale e bashkangjitur ankesës, të subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës, dhe shkresave të tjera të lëndës, është vërtetuar se Qemajl Aliu, kandidati për kryetar të Shtimes nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, ka shfrytëzuar rrjetin social Facebook zyrtar të Komunës së Shtimes, ku është përfshirë fotografia dhe slogani elektoral i kandidatit për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje në Shtime, Qemajl Aliu, gjithashtu në postimin e bërë është shkruar ‘mbështetjen e fuqishme për klubin e garave nuk do ta ndalë as gjatë mandatit të ardhshëm’, me qëllim të përfitimit të votave nga qytetarët e Shtimes”, thuhet në vendim.
Me 1 mijë euro është gjobitur kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Dragashit, Nedzmidin Sejdilar.
“... konstatohet se kandidati i pavarur për Komunë të Dragashit, Nedzmidin Sejdilar ka shfrytëzuar hapësirat e brendshme të Komunës së Dragashit respektivisht ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendin dhe në rrobat e tij ka vendosur emblemën ‘Populli ka fuqinë 102’, i cili është edhe slogani i tij në këto zgjedhje të cilën e ka shfrytëzuar si arritje të tij personale politike, e të cilin në fakt nuk e ka mohuar me rastin e parashtrimit të përgjigjes në ankesë”, thuhet në vendim.
Gjobë prej 800 eurosh iu shqiptua edhe Listës Serbe, për vendosje të posterëve elektoralë në urën në rrugën Mitrovicë e Veriut-Leposaviq, në sheshin qendror në Leposaviq si dhe në Shtëpinë e Kulturës në Soçanicë.
“Lista Serbe urdhërohet që nga momenti i marrjes së këtij vendimi të largojë posterët e vendosur në objektet ku kanë qenë të vendosur ata”, thuhet në vendim.
Dy gjoba, prej gjithsej 800 eurosh, iu shqiptuan edhe partisë tjetër serbe, “Novo Lice - Narodna Pravda”. Kjo parti, me 500 euro u gjobit për vendosje posterësh në shtylla e trafo të energjisë elektrike në Leposaviq, e me 300 euro, për që vendosi posterë të saj mbi atë të Listës Serbe, po ashtu në Leposaviq.
Për vendosje të posterëve në hapësira publike në Prishtinë, me 500 euro u gjobit edhe Partia Demokratike.
“Sipas vlerësimit të panelit konstatohet se kandidati Ilirik Musliu, nga radhët e subjektit politik: Partia Demokratike e Kosovës, ka shfrytëzuar udhëkryqin mes Rrugës B dhe rrugës Enver Maloku në Prishtinë, hapësirë publike gjatë fushatës zgjedhore, me qëllim të zhvillimit të fushatës zgjedhore dhe përfitimit të votave”, theksohet në vendimin e PZAP-së.
Për shfrytëzim të hapësirave publike e të pozitës zyrtare, PZAP-ja i ka në shqyrtim edhe 4 ankesa nga subjektet politike, e të cilat janë dorëzuar të premten.