Zgjedhjet 2025

162.000 euro gjoba partive për shkelje në fushatë zgjedhore

162,000 euro është totali i gjobave ndaj subjekteve politike për shkelje gjatë fushatës zgjedhore. 
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur Listën Serbe me 147,000 euro, Partinë Liberale Egjiptiane me 2000 euro, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës me 1000 euro, ndërsa 500 euro gjobë i është shqiptuar Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës. 

Të gjitha gjobat ndaj Listës Serbe ishin shkaku i posterëve në hapësira të palejuara. 

E përveç përdorimit të hapësirave shtetërore, LVV-ja u gjobit edhe për ekspozim të fëmijëve në fushatë, si dhe për shkelje të heshtjes zgjedhore.

“Paneli lidhur me provat e prezantuara nga ankuesja gjeti se, afër qendrës së votimit ka qëndruar një makinë më flamur me elemente zgjedhore të subjektit politik LVV. Drin Kastrati në ditën e zgjedhjeve ka postuar fotografi të kandidatit për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Albert Selishta me shkrimin “Voto 92. Në rrjetin social Instagram shihet se mbështetësja Anita Ukaj, ditën e zgjedhjeve ka publikuar fotografi të kandidatit nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti. Afrim Gashi në ditën e zgjedhjeve ka publikuar fotografinë e tij duke postuar me shkrimin “Unë votova 116 për SIGURI DHE BEGATI voto edhe ti urime”, thuhet në vendimin e PZAP-së për gjobën prej 4500 eurove për VV-në.

Edhe kandidatët e kanë shkelur heshtjen zgjedhore dhe kjo u ka kushtuar partive. 

Postimi i një kandidati të AAK-së i ka kushtuar kësaj partie 1000 euro e 500 euro i kanë kushtuar subjektit rom PREBK postimet e dy kandidatëve.

Në një përgjigje për Kohën, Paneli krahas shumave ka listuar edhe shkeljet më të shpeshta gjatë fushatës së 2025-s. 

“Shfrytëzimi i institucioneve dhe përfaqësuesit zyrtar për fushatë zgjedhore, Vendosja e banerëve/posterëve të kandidatëve të subjektit politik, Shfrytëzimi i pozitës zyrtare dhe zyrës së institucionit për fushatë zgjedhore; Shfrytëzimi i pasurisë  publike për fushatë  zgjedhore; Vendosja e materialit zgjedhor në hapësirë publike dhe shpërndarje e videos në rrjete sociale, Promovimi i punës së institucionit me llogo të subjektit politik  në rrjete sociale për fushatë zgjedhore, Postimi i kandidatëve të subjektit politik në rrjete sociale për fushatë zgjedhore në pronë publike; Pjesëmarrja  e fëmijëve në tubimin për fushatë zgjedhore; Shpërndarje e videos në rrjete sociale duke ndikuar tek votuesit jashtë Kosove, Përdorimi i gjuhës për nxitje të urrejtjes në media”, u tha nga PZAP-i.

Shkelëse sistematike ka qenë Lista Serbe, së cilës i është shqiptuar edhe gjoba maksimale për shkak të përsëritjes dhe mos-adresimit të urdhrave të Panelit zgjedhor.

Këtij subjekti politik i janë shqiptuar 90 për qind e gjobave.

Fushata ishte më e shkurtër, por edhe më e qetë në krahasim me atë të shkurtit të 2025-ës, në të cilën PZAP-ja i shqiptoi 654,500 euro gjoba për shkeljet etike.