Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka gjobitur me 22 mijë euro subjektin politik Lista Serbe, për shkelje të Kodit të Etikës dhe Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.
20 mijë euro u gjobit pas ankesës së paraqitur nga subjekti politik Kosovski Savez, ndërsa dy mijë euro u gjobit pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje.
Në ankesën e Kosovski Savez e cila u pranua si e bazuar nga PZAP-ja, thuhej që në Komunën e Leposaviqit, në disa lokacione të ndryshme, Lista Serbe ka vendosur materiale propagandistike në kundërshtim me ligjin. Për këto pretendime, Lista Serbe nuk ka dorëzuar përgjigje ndaj ankesës.
Paneli ka vlerësuar se ankesa është e bazuar, duke theksuar se ankuesi ka bashkëngjitur fotografi si dëshmi të vendosjes së materialeve promovuese. Sipas vendimit, materialet ishin vendosur në hapësira publike, përfshirë shtylla elektrike, parqe, stacione autobusi, mbikalime, trafo-stacione elektrike dhe rrugë publike.
Sipas PZAP-së, Lista Serbe ka qenë e njoftuar se vendosja e materialeve promovuese pa lejen e organeve kompetente përbën shkelje të legjislacionit zgjedhor. Lista Serbe gjithashtu është urdhëruar që t’i largojë të gjithë posterët nga vendet e vendosura.
Lista Serbe është gjobitur me dy mijë euro edhe pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje.
PZAP e ka vlerësuar si të bazuar ankesën e LVV-së, me arsyetimin se LS ka shkelur sërish Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, gjatë zgjedhjeve që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, duke vendosur një baner në hapësirën e jashtme të një objekti kolektiv të banimit në Mitrovicë të Veriut.
Po ashtu, PZAP e ka detyruar LS-në që nga momenti i marrjes së këtij vendimi të largojë këtë baner të vendosur në objektin që gjendet në sheshin “Car Llazar” në qytetin e Mitrovicës Veriore, përndryshe mosbindja ndaj kësaj urdhërese paraqet shkelje tjetër të këtij ligji që mund të sanksionohet me dënime shtesë nga PZAP-і.
PZAP tregon në vendim se me datë 19.12.2025 ka pranuar ankesën e parashtruar nga subjekti politik LVV, në të cilën theksohet se më 18.12. 2025, aktivistët e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë kanë identifikuar banerin e vendosur në objektin kolektiv të banimit.
Sipas LVV-së ky veprim është në kundërshtim me nenin 7 të Rregullores Zgjedhore e cila ndalon vendosjen e materialeve zgjedhore në ndërtesa apo objekte banimi përveçse me pëlqimin paraprak të banorëve dhe kur janë të kontraktuara. Lista Serbe ka kundërshtuar ankesën e parashtruesit duke theksuar se posteri është vendosur me pëlqim të banorëve të objektit banesor.
“Për Panelin këto pretendime janë të pabazuara, për faktin se baneri është vendosur në hapësirën e jashtme të objektit të banimit kolektiv, dhe se për këtë raste duhet leje e veçantë, përkatësisht, pëlqim nga Drejtoria përkatëse të lëshuar nga Komuna e Mitrovicës së Veriut. Kurse në rastet kur objektet janë private, atëherë duhet të sigurohet pëlqimi me shkrim nga pronari-shfrytëzuesi i objektit”, shkruan në vendim.