Zgjedhjet 2025

Lista Serbe shpërfilli rregullat e fushatës, mori total 147 mijë euro gjobë nga PZAP-i

94 për qind e gjobave të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për shkelje gjatë fushatës zgjedhore deri më tani i janë shqiptuar Listës Serbe. Partia që ka mbështetje të madhe nga pushteti në Serbi, duke i shpërfillur rregullat e ka marrë edhe gjobën maksimale që mund ta shqiptojë PZAP-ja në vlerë prej 50.000 eurosh.

Kampion i shkeljeve të rregullave zgjedhore gjatë fushatës 10-ditore sipas vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa është Lista Serbe. 

Kjo parti u gjobit pesë herë për të njëjtën lloj shkeljeje. 

Ditën e hapjes së fushatës, kandidati më i votuar i Listës Serbe, Igor Simiqi, u premtoi serbëve se do t’i kenë 10 ushtarë të Serbisë në Kuvend që do t’i mbrojnë interesat e tyre.

E shpërfillëse ndaj institucioneve të Kosovës u tregua edhe me përsëritjen e shkeljes së njëjtë gjatë fushatës zgjedhore,  atë të vendosjes së posterëve në hapësira ku ndalohet me rregulla zgjedhore.

Shuma e gjobave që ia ka shqiptuar PZAP-ja gjatë fushatës është 147.000 euro e kjo nënkupton se mbi 94 për qind e gjobave për shkelje të etikës së fushatës i shkuan kësaj partie.

“Pretendimi se fotografitë janë përdorur edhe më parë nuk e liron subjektin politik nga përgjegjësia për shkeljet e kryera; përkundrazi, veprime të tilla përbëjnë bazë për sanksione shtesë, duke pasur parasysh se me vendimet e PZAP-së, ZP.Anr.25/225 të datës 22.12.2025, dhe ZP.Anr.32/2025 të datës 24.12.2025, subjekti politik Lista Serbe ka qenë i obliguar të largojë posterët dhe materialet zgjedhore nga vendet ku ato kanë qenë të vendosura. Pretendimi në përgjigje, në ankesë se subjekti politik Lista Serbe ka marrë masa për heqjen e materialit të përmendur, është pretendim i pabazuar, pasi që subjekti politik në fjalë nuk ka dëshmuar asnjë përpjekje serioze për eliminimin e shkeljeve të konstatuara, në kuptim të nenit 120, paragrafi 2 të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme”, u tha në arsyetimin e PZAP-it për gjobën prej 50 mijë eurove. 

Përveç Listës Serbe, LVV-ja është dënuar me 6000 euro gjobë, pasi ministrat në detyrë, Hysen Durmishi e Arbërie Nagavci përdorën zyrat e tyre për videot që i publikuan në rrjete sociale. 

E për një video ku një kandidat thoshte se i ndihmon votuesit t’i përgatisin dokumentet për votim me postë është gjobitur edhe Partia Liberale Egjiptiane, shkaku i ankesës së IRDK-së.

38 ankesa janë parashtruar nga data 17 deri më 30 dhjetor e për 13 sosh  PZAP-ja nuk ka vendosur ende. Tetë nga to janë për thyerjen e heshtjes zgjedhore.