Lista Serbe është partia që ka bërë më së shumti shkelje të rregullave gjatë shtatë ditëve të fushatës elektorale. Kjo është konstatuar me vendimet e PZAP-së, e cila e ka ndëshkuar këtë subjekt politik me gjithsej 22 mijë euro gjoba. Pos saj, është gjobitur edhe Partisë Liberale Egjiptiane.
Shtatë ankesa në shtatë ditë të fushatës janë deponuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kundër partive politike për shkelje të rregullave.
Më së shumti shkelje ka bërë Lista Serbe, e për të cilat PZAP-ja i ka shqiptuar gjobë prej 22 mijë eurosh.
Ankesë ndaj saj bëri partia “Kosovski Savez”, për vendosjen e posterëve e materiale zgjedhore në hapësira publike. Për këtë, Lista Serbe e mori gjobën më të lartë.
“Subjektit politik, Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët, i shqiptohet dënimi me gjobë në lartësi prej 20 mijë euro”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Për pagesën e kësaj gjobe, Listës Serbe iu dhanë 15 ditë afat ndërsa u detyruar që, nga momenti i nxjerrjes së vendimit, t’i heqë të gjitha materialet nga hapësirat publike.
Gjobë prej dy mijë eurosh, kjo parti mori edhe për vendosje banerësh në objektin kolektiv të banimit në sheshin “Car Llazar” në Mitrovicë të Veriut, e ankesën për të cilën e bëri Vetëvendosje.
Një tjetër gjobë prej dy mijë eurosh iu dha Partisë Liberale Egjiptiane, për ankesën për shkelje të fshehtësisë së votës të bërë nga IRDK-ja.
PZAP-ja i hodhi poshtë edhe disa ankesa, mes tyre ato për zhvillim të fushatës së parakohshme. Për këtë, PZAP-ja argumentoi se as Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe as Rregullat Zgjedhore nuk kanë të paraparë sanksionime apo marrje të masave tjera ligjore për periudhën kohore që i referohet parafushatës zgjedhore.
Krahas formës tradicionale, partitë, që nga shpallja e zgjedhjeve, zhvilluan parafushatë edhe në rrjete sociale. Nga 20 nëntori, subjektet politike nisën sponsorisimin e postimeve në platformën Meta, që i posedon Facebookun e Instagramin, e ku është e obligueshme transparenca. Janë 85 subjekte që për të tilla sponsorizime shpenzuan nga më shumë se 100 euro.
Pa numëruar kandidatët veç e veç, vetëm nga PDK-ja janë bërë sponsorizime në vlerë të afër 10 mijë eurove. E 426 euro sponsorizime janë bërë në emër të kandidatit të saj për kryeministër, Bedri Hamza.
Mbi 4 mijë e 400 euro për fushatë online janë shpenzuar nga subjekti politik LVV.
Mbi 800 euro nga LDK-ja e mbi 4 mijë euro nga kandidati i saj për kryeministër, Lumir Abdixhiku. 2 mijë e 300 euro në sponsorizime politike në rrjete sociale i shpenzoi kandidati për kryeministër i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme thotë se çdo subjekt politik duhet të deklarojë shpenzimet e fushatës 90 ditë para zgjedhjeve, deri në ditën e mbajtjes së tyre. Por, në shoqërinë civile janë shprehur vazhdimisht shqetësime se deklarimet e partive gjatë fushatës nuk janë reale, pasi ka dallim mes asaj që shpenzohet dhe asaj që raportohet.