Zgjedhjet lokale

PZAP-ja dënon VV-në me 2,000 euro e PDK-në me 500

PZAP

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar me 2,000 euro Lëvizjen Vetëvendosje pas ankesës së PDK-së kundër Qemajl Aliut, kandidat i  VV-së për kryetar të Komunës së Shtime.

PZAP-ja ka vërtetuar se Aliu ka shfrytëzuar burime dhe institucionet publike shtetërore për fushatë personale.

"Paneli pasi që shqyrtoi pretendimet ankimore, ka gjetur se nga provat materiale e bashkangjitur ankesës, të Subjektit Politik Partia Demokratike e Kosovës, dhe shkresave tjera të lëndës, është vërtetuar se Qemajl Aliu, kandidat për kryetar të Shtimes nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka shfrytëzuar rrjetin social Facebook zyrtar të Komunës se Shtimes ku është e përfshirë fotografia dhe slogani elektoral i kandidatit për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje në Shtime, Qemajl Aliu, gjithashtu në postimin e bërë është shkruar 'mbështetjen e fuqishme për klub e garave nuk do ta
ndal as gjatë mandatit të ardhshëm', me qëllim të përfitimit të votave nga qytetarët e Shtimes", thuhet në arsyetimin e PZAP. 

Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës është gjobitur me 500 euro pas ankesës së LVV-së se kandidati i PDK-së, Ilirik Musliu, ka vendosur material reklamues zgjedhor në udhëkqyrin mes Rrugës B dhe “Enver Maloku”.

"Paneli pasi që shqyrtoi pretendimet ankimore, ka gjetur se nga prova materiale e bashkangjitur ankesës, të Subjektit Politik PDK, dhe shkresave tjera të lëndës, paneli ka vlerësuar se kandidati Ilirik Musliu ka vendosur material reklamues zgjedhor në udhëkryqin mes Rrugës B dhe rrugës Enver Maloku, në Prishtinë", arsyetoi PZAP. 

Po ashtu është gjobitur subjekti GI Novo Lice-Narodna Pravda me 800 euro, kandidati i pavarur për Dragash, Nedzmidin Sejdilar, me 1,000 euro dhe Lista Serbe me 800 euro.