Zgjedhjet lokale

PDK-ja kërkon rinumërim ose rivotim në Shtime, ankohet për “parregullsi serioze”

Partia Demokratike i ka parashtruar kërkesë Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa për përsëritje të votimit apo rinumërim në Komunën e Shtimes. 

Kërkesën, PDK-ja e shtroi në ankesën drejtuar PZAP-së, një ditë pasi rezultati zgjedhor i 12 tetorit për këtë komunë është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. 

Në ankesë, subjekti që ka dalë i dyti në Shtime ka pretenduar se ka evidentuar parregullsi serioze që e cenojnë integritetin e procesit dhe që mund të kenë ndikuar drejtpërsëdrejti në rezultatin përfundimtar.

“Është gjetur një fletë-udhëzues për votim të përsëritur dhe mungon një fletëvotim origjinal për kryetarin e Komunës, çka tregon mundësinë e përdorimit të sistemit të organizuar të “Trenit Bullgar”. Ky mekanizëm nënkupton që një votues hyn me një fletëvotim të plotësuar paraprakisht dhe del me fletën e paplotësuar për ta dorëzuar jashtë, duke e shfrytëzuar më pas në vendvotime të tjera. Rezultati tepër i ngushtë për kryetarin e komunës i cili përjashton balotazhin me një diferencë minimale, ngre dyshime serioze se parregullsitë e mësipërme mund të kenë ndikuar në rezultatin përfundimtar”, thuhet në ankesën e PDK-së shtruar në PZAP.

Në ankesën për parregullsi, PDK-ja ka përfshirë edhe deklaratën e shkruar të kryesueses së vendvotimit, ku thuhet se është evidentuar shkelja.

“Gjatë numërimit kemi vërejtur se në kuti ka qenë një mostër e votimit, do të thotë se nuk ka qenë fletëvotim origjinal. Pas numërimit të votave për kryetar komune, mungonte një fletëvotim, ndërsa u gjet një fletë-udhëzuese brenda kutisë së votimit. Unë si dëshmitar e mbaj ende për ta konfirmuar tek ju se ai fletë-udhëzuese ka hyrë në thesin numër 3”, thuhet në deklaratën e kryesuesit të vendvotimit.

Partia Demokratike, ankesë të ngjashme ka paraqitur më herët në Prokurorinë Speciale si dhe një javë më parë edhe në KQZ, porse ajo është refuzuar me arsyetimin se rezultati nuk është përfundimtar. 

E Shtimja është një prej 35 komunave, rezultatet përfundimtare të të cilave KQZ-ja i ka certifikuar të shtunën. Sipas këtij rezultati, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Qemajl Aliu, ka fituar pa balotazh, me 50.46% të votave, e ai i PDK-së, Përparim Ramusa, është renditur i dyti, me 37.11%.

Bazuar në rezultatin përfundimtar, raund të dytë të votimeve do të ketë më 9 nëntor në 18 komuna. Balotazh do të ketë në Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë të Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë e Kllokot.

E rezultatet përfundimtare nuk janë shpallur ende për Komunën e Prishtinës, Junikut e Mamushës, shkaku i trajtimit të ankesave.