Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Haxhiu e Kryeziu ankohen në Supreme, kërkojnë rinumërim të plotë të votave të PDK-së

Bekim Haxhiu & Qëndrim Kryeziu

Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu kanë dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme, me kërkesën për rinumërim të plotë të votave për kandidatë brenda PDK-së. Të dy pretendojnë se rinumërimi i pjesshëm ka dëshmuar se ka janë bërë gabime në dëm të tyre gjatë numërimit fillestar. Më herët, PZAP-ja si shkallë e parë ka refuzuar kërkesën e tyre për rinumërim

Dy kandidatë të PDK-së për deputetë insistojnë në rinumërim të plotë të votave brenda subjektit të tyre politik.

Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu të mërkurën i janë drejtuar Gjykatës Supreme me ankesë, pasi më herët kërkesën e tyre për rinumërim e ka refuzuar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas Haxhiut, rinumërimi i pjesshëm si masë kontrolli nga KQZ-ja ka treguar për deformim të vullnetit qytetar.

“Sot kemi dorëzuar në Gjykatën Supreme ankesën me arsyetimin tashmë të njohur, që procesi i rinumërimit i urdhëruar nga KQZ ka treguar pasaktësi në numërimin që është bërë nëpër qendrat komunale të numërimit dhe kjo marzhë e gabimit në numërimin fillestar nuk është e vogël, sepse në këtë rinumërim të urdhëruar nga KQZ janë numëruar vetëm 5,201 vota të Partisë Demokratike dhe në këtë rinumërim janë 220 vota që janë shtuar ose janë hequr nga kandidatët si vota preferenciale”, ka theksuar ai.

Edhe kandidati Qëndrim Kryeziu tha se vetëm me rinumërim të plotë të votave për kandidatë brenda PDK-së, do të mësohet rezultati i saktë.

“Ne kur i kemi tërheqë dokumentet bashkë, na kanë thënë që gabimet e vogla janë minimale, kështu që ‘s’keni nevojë me u anku’, po ua themi shoqërisht. Por nuk janë këto gabime të vogla minimale, as gabime teknike, sepse është një numër shumë i ngushtë që të jesh deputet, si për kolegun, si për mua, me një marzhë gabimi prej 589 që ka ndodhur në sistemin e KQZ. Pastaj thanë jo vetëm dy t’i kemi shtuar, por ne e kemi parë vetë atë”, ka theksuar Kryeziu.

Kryeziu pretendon se rinumërimi i pjesshëm ka treguar se gjatë numërimit i janë marrë 589 vota, por sipas KQZ-së, atij gjatë numërimit fillestar i janë shtuar dy vota.

Ndryshe nga Haxhiu që është i 21-ti në listën e PDK-së me vota dhe ka mbetur pa ulëse në Kuvend shkaku i kuotës gjinore, Kryeziu është i 45-ti.

PDK-ja ka siguruar 22 mandate në legjislaturën e 11-të.

Pas ankesës së shtruar, Supremja ka 5 ditë afat për të vendosur. Nëse i refuzon ato, atëherë KQZ-së i hapet rruga t’i shpallë rezultatet përfundimtare.