Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Dukagjin Lipa, folës kryesor në konferencën “Crowd & Loud” në Zagreb

Dukagjin Lipa

Dukagjin Lipa do të jetë një nga folësit kryesorë të “Crowd & Loud”

Dukagjin Lipa, menaxheri dhe babai i Dua Lipës, themeluesi i “Sunny Hill Festival” në Prishtinë, do të jetë një nga folësit kryesorë të “Crowd & Loud”, konferenca më e madhe rajonale e industrisë së eventeve që mbahet më 12 nëntor në Zagreb.

Lipa ka mbi 25 vjet përvojë në muzikë, media dhe teknologji. Ai qëndron pas karrierës globale të Dua Lipës, së fundi me albumin numër 1 në botë “Radical Optimism”, si dhe me performancat në skenat e “Grammyt” dhe BRIT Awards, performancën kryesore në Glastonbury e deri te turneu botëror nëpër stadiumet më të njohura botërore.

“Njëkohësisht, përmes festivalit Sunny Hill dhe platformës kulturore-filantropike me të njëjtin emër, ai e lidhi Kosovën me skenën muzikore botërore, duke promovuar kulturën kosovare dhe shqiptare dhe duke hapur mundësi të reja për industrinë kreative. Përvoja e tij përfshin gjithashtu projekte ndërkombëtare në fushën e komunikimit, marketingut dhe teknologjisë, përfshirë themelimin e agjencisë REPUBLIKA Communications”, ka përcjellë portali “Indeks.hr” njoftimin për këtë ngjarje e cila sivjet shënon edicionin e dytë.

Në bisedë me gazetarin Galeb Nikaçeviq, Lipa do të flasë për tri tema: si ndërtohet një karrierë botërore, sa vlen një brend muzikor dhe çfarë i duhet një festivali lokal për t’u bërë ndërkombëtar, 
Krahas tij, ligjërata kryesore do të mbajnë edhe Jim Digby, drejtor i turneve të “Linkin Park”, dhe Tamás Kádár, CEO i festivalit “Sziget” në Hungari. Në program janë edhe mbi njëzet folës të tjerë, mes tyre Rambo Amadeus, Rene Bitorajac dhe Jan Kerekesh.

“Në katër panele do të diskutohet çfarë i shet sot biletat: ylli, zhurma mediatike apo përvoja. Do të flitet edhe për kufirin mes artit dhe biznesit, si dhe nëse rajoni mund të ndërtojë një industri muzikore serioze. Dita mbyllet me ceremoni çmimesh, koncerte të Edo Maajkës, Rambo Amadeusit e të tjerëve, dhe DJ party”, shkruhet në njoftim. 

“Crowd & Loud” bashkon organizatorë, promotorë, menaxherë, kompani të produksionit, agjenci, brende, media dhe pronarë të hapësirave për organizimin e eventeve nga e gjithë rajoni. “Përmes platformës së networkingut ‘Confiva Crowd & Loud’, pjesëmarrësit mund të organizojnë takime paraprakisht, ndërsa bisedat dhe bashkëpunimet mund t’i vazhdojnë gjatë gjithë ditës në Lauba, në Mastercard Meeting Lounge dhe në zonat e dedikuara për rrjetëzim. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të krijuar partneritete të reja, për të gjetur organizatorë, për të zhvilluar biznese dhe për të nisur projekte që do të përcaktojnë sezonin e ardhshëm të eventeve”, shkruhet në njoftim.