Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Pirja e 2-3 filxhanëve kafe në ditë lidhet me rrezik më të ulët për çrregullimet e ritmit të zemrës

Kafeja

Kafeja

Pirja e dy deri në tre filxhanëve kafe në ditë mund të lidhet me një rrezik pak më të ulët për zhvillimin e fibrilacionit atrial, një nga çrregullimet më të shpeshta të ritmit të zemrës. Këtë e sugjeron një studim i ri, i publikuar në revistën shkencore “Food & Nutrition Research”, ku u analizuan të dhënat e afro 500 mijë të rriturve, ka shkruar NewsMedical.

Studiuesit shqyrtuan lidhjen mes konsumit të kafesë dhe çajit dhe shfaqjes së fibrilacionit atrial, një gjendje në të cilën zemra rreh në mënyrë të çrregullt, duke rritur rrezikun për komplikime serioze, përfshirë sulmin në tru.

Në studim u përfshinë 495.269 persona, me moshë mesatare 57 vjeç, të cilët u ndoqën për rreth 13 vjet. Gjatë kësaj periudhe, 37.261 prej tyre zhvilluan fibrilacion atrial.

Rezultatet treguan se personat që konsumonin kafe kishin një rrezik të vlerësuar 7-11 për qind më të ulët për këtë çrregullim, krahasuar me ata që nuk pinin fare kafe.

Dallimi më i dukshëm u vu re te personat që konsumonin 2-3 filxhanë në ditë.

Edhe për çajin u vu re një lidhje e ngjashme, por më e kufizuar. Personat që pinin 2-3 filxhanë në ditë kishin një rrezik rreth 5 për qind më të ulët, ndërsa rezultatet për sasitë e tjera nuk ishin aq të qarta.

Studiuesit vunë re se rreziku nuk ulej në mënyrë të vazhdueshme me rritjen e konsumit. Përkundrazi, lidhja më e favorshme u shfaq te konsumi i moderuar.

A do të thotë kjo se kafeja mbron zemrën?

Jo domosdoshmërisht. Studiuesit theksojnë se bëhet fjalë për një studim vëzhgues, i cili tregon një lidhje mes konsumit të kafesë dhe rrezikut më të ulët, por nuk provon se kafeja është shkaku i këtij efekti.

Gjithashtu, pjesëmarrësit raportuan vetë sasinë e kafesë dhe çajit që konsumonin, ndërsa studiuesit nuk matën saktësisht sasinë e kafeinës. Në analizë u përfshi edhe kafeja pa kafeinë, ndaj rezultatet nuk mund t’i atribuohen vetëm kafeinës.

Çka duhet të kemi parasysh?

Fibrilacioni atrial prek miliona njerëz në mbarë botën dhe mund të rrisë rrezikun për probleme serioze kardiovaskulare.

Megjithatë, ky studim nuk rekomandon që të gjithë të fillojnë të pinë më shumë kafe për të mbrojtur zemrën. Ai sugjeron vetëm se konsumi i moderuar mund të shoqërohet me një rrezik më të ulët për këtë çrregullim.