Opinionisti Agim Sopi ka thënë se nëpërmjet kanaleve zyrtare, Kosova s'mund të kërkojë nga Turqia që ta ekstradojë Zvonko Veselinoviqin, biznesmenin kontrovers nga veriu i Kosovës, ndaj të cilit autoritetet kosovare kishin lëshuar urdhërarrest vendor e ndërkombëtar në dhjetor të vitit 2019.
Në mediumet në Serbi është raportuar se Veselinoviq është larguar sot për në Turqi. E burime të “Radio Evropës së Lirë” kanë thënë se ai ka udhëtuar në Turqi nga Bosnja.
“Meqë nuk jemi pjesë e Interpolit, nëpërmjet kanaleve zyrtare Kosova s’mundet ta kërkojë ekstradimin. Private, nuk e di si janë raportet. Janë raporte miqësore, të relaksuara, por nuk e di sa janë të besueshme në atë masë që Qeveria jonë të kërkojë nga Erdogani ta arrestojë atë dhe ta dorëzojë në Kosovë. Nuk jam fort i sigurt që Turqia është e gatshme ta bëjë një gjë të tillë, pavarësisht raporteve”, ka thënë Sopi në “Konfront” të KTV-së.
Zvonko Veselinoviq njihet si biznesmen nga veriu i Kosovës dhe ish-partner afarist i Milan Radoiçiqit, organizatorit të sulmit terrorist ndaj në Banjskë, më 24 shtator të vitit 2023, gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Të dy janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara prej gati pesë vjetësh, për shkak të dyshimeve për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.