Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

Zvonko Veselinoviq udhëton me avion drejt Turqisë përmes Sarajevës

Zvonko Veselinoviq

Zvonko Veselinoviq, biznesmen kontravers nga veriu i Kosovës, i cili është nën sanksione amerikane për shkak të akuzave për krim të organizuar, ka udhëtuar drejt Turqisë përmes Bosnje e Hercegovinës, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime të sigurisë në Bosnje.

Sipas burimeve të REL-it, ai u largua nga Bosnje e Hercegovina në orët e hershme të mëngjesit të 11 nëntorit, duke përdorur pasaportë serbe.

Ai fluturoi nga Sarajeva drejt Stambollit.

Arsyet e largimit të tij nga Serbia dhe udhëtimit drejt Turqisë nuk dihen.

Me aq sa dihet, aktualisht ndaj tij nuk është duke u zhvilluar ndonjë procedurë penale në Serbi.

Edhe Nisin hetimet, si vepruan institucionet në Serbi për ta lënë të lirë Radoiçiqin Arbëri Nisin hetimet, si vepruan institucionet në Serbi për ta lënë të lirë Radoiçiqin

Largimi i Veselinoviqit vjen rreth dy javë pas ndryshimit të pushtetit në Serbi, si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit.

Megjithëse qeveria e re ende nuk është formuar, policia dhe prokuroria kanë nisur një valë arrestimesh për vepra të ndryshme penale.

Zvonko Veselinoviq njihet si biznesmen nga veriu i Kosovës dhe ish-partner afarist i Milan Radoiçiqit, organizatorit të sulmit terrorist ndaj në Banjskë, më 24 shtator të vitit 2023, gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Të dy janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara prej gati pesë vjetësh, për shkak të dyshimeve për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.

Megjithatë, autoritetet e deritanishme në Serbi nuk i kanë marrë parasysh sanksionet amerikane dhe kanë vazhduar t'u japin kontrata fitimprurëse kompanive të Veselinoviqit, të cilat po ashtu janë nën sanksione. Këto kontrata përfshijnë edhe pjesëmarrjen në ndërtimin e rrugëve.

Në dokumentin e vitit 2021, me të cilin Shtetet e Bashkuara arsyetuan vendosjen e sanksioneve, Veselinoviq përshkruhet si udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal, ndërsa Milan Radoiçiq si zëvendës i tij.

Sipas autoriteteve amerikane, ata janë të përfshirë në një skemë të gjerë ryshfeti.

Edhe Vuçiq: Radoiçiq nuk ndiqet për krim, por për shkak të Kosovës Arbëri Vuçiq: Radoiçiq nuk ndiqet për krim, por për shkak të Kosovës

Në dokument thuhet se grupi kriminal është i përfshirë në kontrabandën e drogës, armëve dhe mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në skemën e korrupsionit përmenden edhe politikanë, të cilët, sipas autoriteteve amerikane, Veselinoviq i ndihmonte gjatë fushatave zgjedhore. Në këmbim, ata e shpërblenin me kontratat më të mira për projekte infrastrukturore.

Nuk është specifikuar se për cilët politikanë bëhet fjalë.

Përveç Shteteve të Bashkuara, Veselinoviq dhe Radoiçiq janë nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar që nga viti 2022, për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Ndërsa në Serbi këto sanksione nuk kanë sjellë pasoja të dukshme, ato janë ligjërisht të detyrueshme për qytetarët dhe kompanitë amerikane dhe britanike, të cilëve u ndalohet të bëjnë biznes me personat e sanksionuar.

Autoritetet e Kosovës, ndërkaq, i kanë lidhur Veselinoviqin dhe Radoiçiqin me vepra të rënda penale, përfshirë vrasjen e politikanit serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Edhe SHBA-ja sanksionon gabimisht pensionistin serb për shkak të emrit Zvonko Veselinoviq Rajon SHBA-ja sanksionon gabimisht pensionistin serb për shkak të emrit Zvonko Veselinoviq

Autoritetet e Kosovës e kanë lidhur Veselinoviqin edhe me organizimin e barrikadave dhe trazirave në veri të Kosovës, si dhe me kontrabandën e naftës, drogës dhe armëve. Megjithatë, autoritetet në Beograd nuk i kanë hetuar këto akuza.

Në Serbi, Veselinoviqi është gjykuar dy herë për keqpërdorime financiare dhe shpërdorim të detyrës zyrtare, por në të dyja rastet është shpallur i pafajshëm.