Zgjedhjet lokale

PZAP-ja, për shkeljet gjatë fushatës zgjedhore, ka shqiptuar total rreth 37 mijë euro gjoba

PZAP

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar në total 36 mijë e 900 euro gjoba për shtatë subjekte politike për shkelje gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. 

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të PZAP-së, Tefik Mahmuti, në një lidhje direkte në emisionin “Sot” ka thënë se shkeljet janë kryesisht të ngjashme me fushatat e kaluara, si përdorimi i gjuhës së papërshtatshme, vendosja e posterave në hapësira publike pa pasur leje, mbajtja e tubimeve në hapësira publike e përdorimi i fëmijëve në fushatë. 

“Duhet të them se PZAP-ja nga fillimi i fushatës më 13 shtator e deri tash ka marrë vendim ndaj 7 subjekteve politike që i ka gjobitur me gjobë totale prej 36 mijë e 900 eurosh”, tha Mahmuti. “...bazuar në Ligjin për zgjedhjet, nëse një subjekt gjobitet nën vlerën 5000 euro, atëherë s’ka të drejtë të ankohet në Supreme. Subjektet që gjobiten mbi 5000 euro kanë të drejtë të ankohen në Supreme. Subjektet kanë të drejtë të bëjnë edhe kërkesë në PZAP për rishikim të vendimit dhe të dërgohen prova shtesë”. 

Mahmuti ka thënë se LDK-ja, për një gjobë prej 2500 euro për shkelje të bëra nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte kërkuar nga PZAP-ja të rishikohej rasti. Por, edhe pas rishikimit gjoba ka mbetur në fuqi. 

Ai ka thënë se krahasuar me zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, ka numër më të vogël të parregullsive apo shkeljeve. 

“Po shpresojmë se ka ndikuar vendimmarrja e mëhershme...Duket se ka reflektim nga subjektet të mos bëjnë gabimet e kaluara”, tha Mahmuti.