Në zgjedhjet e shkurtit një kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovë ka shpenzuar mesatarisht nga 9 deri në 12 mijë euro. Në studimin me titullin “Kostoja e politikës në Kosovë”, i bërë nga “Democraci plus” dhe “Westminster Foundation for Democracy”, theksohet se shumë nga kandidatët kanë thënë që një shumë e madhe e shpenzimeve u shkojnë në takime direkt me qytetarë, por edhe në rrjetet sociale e portalet online.
Për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës një kandidat shpenzoi mesatarisht nga 9 mijë deri në 12.150 euro, thuhet në raportin “Kostoja e politikës në Kosovë” të publikuar të enjten.
Ky studim u bë nga “Democracy” dhe “Westminster Foundation for Democracy”, që ka analizuar shpenzimet e kandidatëve për deputetë gjatë zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe ndikimin e tyre në konkurrencën politike, barazinë e mundësive dhe integritetin zgjedhor.
Albert Krasniqi, drejtor i programeve në “Demokraci Plus”, prezantoi gjetjet e raportit dhe shpjegoi se ku janë përqendruar më shumë shpenzimet e kandidatëve.
“Shumë nga kandidatët kanë thënë që një shumë e madhe e shpenzimeve ju shkojnë në takime direkt me qytetarë, me votues të cilët duhet ti takojnë personalisht. Pastaj prania dhe ndikimi digjital, shpenzimet rrjetet sociale të cilat ata I kanë promovuar por duke i përfshirë edhe portalet online ku ata kanë pasur shpenzime të marketingut. Dhe një fushë e tretë ka qenë stafi i fushatës”, tha Krasniqi.
E kandidati për deputet nga AAK, Besnik Tahiri, ka thënë se kostoja politike në Kosovë është duke u rritur shumë dhe se një nga faktorët janë edhe rrjetet sociale.
“Trendët dhe ndikimi i rrjeteve sociale e mediave sociale e kanë bërë që forma ta mbytë përmbajtjen dhe arsyeja që është rrit financimi dhe kostoja i të qenit udhëheqës i partisë por të njëjtën edhe kandidatë lidhet bukur shumë me formën”, tha Tahiri.
Ndërsa drejtori për Cilësi dhe Inovacion në “Fondacionin Westminster”, Graeme Ramshaw, ka thënë se raporti është fokusuar në mënyrë të veçantë te rinia dhe gratë në garën zgjedhore.
“Për t’u bërë deputet është problem, aq sa edhe marrja e vetë pozitës së deputetit. Kemi shikuar se sa shpenzime bëhen dhe sa presion ushtrohet. Donim të bënim një fokus te gratë dhe rinia. Ndërsa studimet janë akumuluar në këtë projekt, kemi parë disa kontekste shtetërore, shoqërore dhe ekonomike. Fushatat po bëhen më të shtrenjta; kandidatët po mbështeten në financim personal, ndërsa gratë marrin hua nga të afërmit”, tha Ramshaw.
Në raport u tha se shpenzuesit janë ndarë në tri kategori: Shpenzuesit e ulët kanë shpenzuar deri në 2.500 euro, nga tre kandidatë që ishin pjesë e studimit asnjëri nuk ka siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Shpenzuesit mesatarë me 2.500 deri në 7.999 euro, nga katër kandidatë tre kanë fituar.
Ndërsa shpenzuesit mbi 8.000 euro nga tetë kandidatë, shtatë e kanë siguruar ulësen.