Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e sotme, mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 2,092,202 euro, pra një (1) euro për çdo votues të regjistruar. Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për fushatën zgjedhore, monitorimin dhe deklarimin financiar, si dhe në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas së cilës numri i votuesve në vendin tonë është 2,092,202.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDrejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, shpjegoi procedurën.
“Siç e dini, sipas planit kohor, fushata zgjedhore do të fillojë më 28 maj 2026 dhe do të përfundojë më 7 qershor 2026, para hapjes së qendrave të votimit. Andaj, në përputhje me Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, kufizimi i shpenzimeve është llogaritur në 1 euro për votues. Në lidhje me bazën ligjore, Zyra i rekomandon KQZ-së që të aprovojë kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore në vlerën prej 2,092,202 euro. Pra, kjo lidhet me numrin e votuesve në listën preliminare, sipas ekstraktit të marrë më 30 prill 2026”, tha ai.
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për miratimin e listës së Qendrave të Votimit në zgjedhjet e parakohshme. Sipas vendimit të KQZ-së, numri i Qendrave të Votimit në 38 komuna të Republikës së Kosovës, në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit është 949. Nga ky numër i përgjithshëm, 911 Qendra të Votimit do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërkaq në 38 të tjera, nga një për çdo komunë, vetëm për votimin me kusht.
Gjithashtu, KQZ mori vendim për miratimin e listës së 38 Qendrave Komunale të Numërimit (QKN), në të cilat do të zhvillohen aktivitet pas ditës së zgjedhjeve për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimin e rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, pas numërimit të fletëvotimeve në ditën e zgjedhjeve.
Në pikën tjetër, KQZ mori vendim për miratimin e listës së Qendrave të Votimit në përfaqësi diplomatike dhe catoi numrin maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për votim fizik më 6 qershor. Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit planifikohet të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 ambasada dhe 15 konsullata. Ndërkaq, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto Qendra të Votimit ëshë 66,450.
Kufizimi i numrit maksimal të votuesve që mund të regjistrohen vlen vetëm për votimin në përfaqësi diplomatike, ndërkaq numri i votuesve që mund të regjistrohen për votim përmes postës është i pakufizuar. Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës.
Në Rregulloren Zgjedhore për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ ka vendosur se nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi nuk do të organizohet dhe votuesit e regjistruar do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve përmes postës dhe për këtë do të njoftohen nga KQZ.