Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur në mbledhjen e sotme që procesi i votimit planifikohet të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike me gjithsej 66 vendvotime, të vendosura në 36 shtete të ndryshme të botës. Megjithatë, kjo listë do të mund të rishikohet nga KQZ, varësisht nga numri i votuesve që do të regjistrohen për të votuar në përfaqësi diplomatike.
Gjithashtu, KQZ caktoi numrin maksimal 950 votues që mund të regjistrohen për të votuar në një vendvotim në përfaqësi diplomatike. Sipas vendimit të KQZ-së, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto përfaqësi diplomatike është 62,700 votues.
Po ashtu, sipas vendimit të KQZ-së, Qendra të Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40,850 votues.
Në pikën tjetër të rendit të ditës, u prezantua raporti i Listës Preliminare të Votuesve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025. Lista Preliminare e Votuesve përmban: 2,076,422 votues, prej të cilëve 1,067,499 burra dhe 1,008,923 gra.
Pra, kjo listë votuese përmban 7,324 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet e Lokale, të mbajtura më 12 tetor 2025.
Në fund të mbledhjes, KQZ mori vendim për miratimin e sloganit të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Slogani i fushatës informuese është: KOSOVA VOTON!
Para se të merreshin këto vendime, ka pasur diskutim të gjerë mes anëtarëve të KQZ-së.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka thënë se e konsideron të patrajtuar mirë këtë çështje nga kryesuesi i Këshillit për Operacione Zgjedhore.
“Së pari e konsideroj të patrajtuar në mënyrën e duhur edhe nga kryesuesi (i këshillit për operacione zgjedhore) në këtë cështje që me tendencë të qartë i ndajti. Kemi të bëjmë me qëndra të votimit që janë në përfaqësi diplomatike apo zyra në vende të ndryshme të botës.....Ne sapo dje kaluam nëpër një vendimmarrje e cila këtu u cilësua sikur gjoja po mbrohet integriteti dhe sot u pa qartë që ska të bëjë me integritetin por me pamundësimin e votimit të mërgatës në cfarëdo forme. Unë nuk isha qudit edhe me na ardhë propozimi edhe mos me i lanë me votu.. të ua ndaloni njerëzve që votojnë duke ua mbyllur qendrat e votimit, qendrat që i plotësojnë të gjitha kriteret teknike...”, ka thënë ai.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi ka thënë se situatë të ngjashme ka qenë edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit kur ka pasur kohë afërsisht 6 muaj në përgatitjen e zgjedhjeve.
“Kemi dalë dhe i kemi pa kushtet, objektet konsulore diplomatike të cilat do të përgatiteshin në një proces zgjedhor. Ligji e cakton qartë që KQZ-ja kërkon nga MPJ-ja numrin e përfaqësive diplomatike të cilat janë të gatshme si objekte...Një nderhyrje flagrante e MPJ-së në këtë proces synon të hap qendra jashtë vullnetit të këtij institucioni, nuk e di a nëpër vende a klube të cilat a nuk e dimë se ku janë... Ky institucion nuk mund të hapë qëndra jashtë përfaqësive diplomatike se bën shkelje të ligjit për zgjedhje dhe për fat të keq Sekretariati po hyn në matematikat që nuk i kanë taku”, ka thënë ai.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se në zgjedhjet e kaluara nuk kanë votuar në hapësirat shtesë, por vetëm në listën e disa konsulatave apo ambasadave që i kanë dërguar.
“Unë po du me qenë pak ma pragmatik në këtë proces... mendimi im është që të votohet kjo dhe pastaj të shohim sipas procedurës së Sekretariatit që të largohen... unë jam pak më realist. Ka me qenë e pamundur edhe materialet zgjedhore me i dërgu në të gjitha këto ambasada. Ne do të tentojmë por ka me qenë e pamundur. Kemi një kohë shumë shumë të shkurtër për me organizu këtë proces në diasporë... është rrezik”, ka thënë ai.