Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

KQZ: Punët po kryhen sipas planit të paraparë

KQZ

Foto: Driton Paçarada

Përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit po zhvillohen sipas planit të paraparë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në mbledhjen e fundit u prezantua raporti për ecurinë e procesit logjistik dhe administrativ, ku u theksua se materialet zgjedhore po shpërndahen sipas afateve të përcaktuara. Të shtunën nis votimi në përfaqësitë diplomatike, përkatësisht në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave në 18 shtete

Në 38 komunat e Kosovës tashmë janë shpërndarë materialet jo të ndjeshme zgjedhore, përfshirë kutitë dhe kabinat e votimit, si dhe materialet e tjera përcjellëse për zgjedhjet e 7 qershorit.

Kjo u bë e ditur të premten në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjatë prezantimit të raportit mbi përgatitjet e deritanishme për zgjedhjet e parakohshme, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se raporti pasqyron përgatitjet logjistike dhe administrative për ditën e zgjedhjeve.

“Sa u përket materialeve zgjedhore, ju njoftoj që në periudhën kohore 30 maj deri më 3 qershor është transportuar materiali zgjedhor në qendrat komunale të numërimit që karakterizohet si material i ndjeshëm dhe që përfshin kutitë e votimit, listat e sigurisë dhe kabinat e votimit. Po ashtu janë shpërndarë të gjitha pajisjet e teknologjisë informative që përfshijnë kamerat në vendvotime, kamerat në tavolinat e numërimit në qendrat komunale të votimit dhe pajisje të tjera mbështetëse”, ka thënë Buzhala.

Materialet e ndjeshme zgjedhore, si fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve, vulat dhe materialet e tjera përkatëse, do të shpërndahen në komuna më 6 qershor, nën përcjelljen e Policisë.

“Raporti përmban edhe imazhe fotografike lidhur me përgatitjen e procesit që përfshinë shpërndarjen zgjedhore, ndërsa sa u përket formularëve dhe formave zgjedhore, këto materiale janë pranuar në qendrën e numrit më 3 qershor 2026 dhe stafi atje ka kontrolluar të gjitha materialet dhe të njëjtat do të transportohen sot së bashku me materialin administrativ”, ka bërë të ditur Buzhala.

Raporti vë në pah edhe përfundimin e trajnimeve për këshillat e vendvotimeve dhe për stafin që do të angazhohet në publikimin e rezultateve preliminare.

Sipas raportit, 3,144 votues me nevoja të veçanta janë regjistruar për të shfrytëzuar të drejtën e votës në zgjedhjet e 7 qershorit.

Vetëm një ditë më herët, të shtunën, nis votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Procesi i votimit do të zhvillohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës, të cilat janë të vendosura në 18 shtete.

Ndërkaq, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim fizik në ndonjërën nga këto përfaqësi diplomatike është 27,724.

Sa i përket votimit jashtë Kosovës, Buzhala ka deklaruar se materialet zgjedhore për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike janë pranuar në gjendje të rregullt dhe janë ruajtur sipas procedurave të parapara.