Rreth 27 mijë qytetarë të Kosovës, që janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, për zgjedhjet e 7 qershorit, mund ta shfrytëzojnë këtë të drejtë sot (e shtunë).
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se nga ora 07:00 janë hapur të gjitha pikat e votimit në misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.
"Ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit, të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Pjesëmarrja juaj në zgjedhje është një kontribut i rëndësishëm për demokracinë dhe të ardhmen e vendit tonë", thuhet në njoftimin e të shtunës.
Varësisht prej lokacioneve, kutitë e votimit hapen në 47 vendvotime të vendosura në 17 ambasada dhe 13 konsullata, të cilat ndodhen në 18 shtete të ndryshme.
Votimi do të jetë i hapur nga ora 07:00 deri në ora 19:00.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për votim fizik në përfaqësitë diplomatike janë regjistruar gjithsej 27,724 shtetas të Kosovës.
Mbi 80 për qind e të regjistruarve votuan në përfaqësi diplomatike
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i votimit në shumicën e përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës ka përfunduar me sukses, ndërsa pjesëmarrja e votuesve nga diaspora ka arritur mbi 80 për qind, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, Elezi njoftoi se deri në kohën e mbajtjes së konferencës kishte përfunduar votimi në 26 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të shpërndara në 16 shtete të ndryshme.
“Ju njoftojmë se deri në këtë kohë ka përfunduar votimi në 26 përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës, të cilat ndodhen në 16 shtete si: Turqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republika Çeke, Hungari dhe Mbretëri e Bashkuar. Sipas kohës lokale në Kosovë, në orën 1:15 do të përfundojë votimi në katër përfaqësi tjera diplomatike, të cilat ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Pas përfundimit të votimit edhe në këto dy vende, do të kemi një njoftim me shkrim”, tha Elezi.
Ai theksoi se gjatë gjithë ditës KQZ-ja ka mbajtur komunikim të vazhdueshëm me misionet diplomatike për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Gjatë ditës së sotme KQZ ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe nga zyrtarët e shërbimit të votuesve u janë ofruar udhëzimet e nevojshme për zhvillimin e votimit sipas ligjit dhe procedurave. Në përgjithësi, nga komunikimi i vazhdueshëm që kemi pasur me këto përfaqësi diplomatike, procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë pengesë”, deklaroi ai.
Duke prezantuar të dhënat preliminare për pjesëmarrjen, Elezi bëri të ditur se interesimi i votuesve ka qenë i lartë.
“Sipas të dhënave nga 26 përfaqësitë diplomatike ku është mbyllur votimi, por edhe nga të dhënat deri në orën 13:00 nga votimi në SHBA dhe Kanada, nga 27.724 votues të regjistruar kanë votuar 80.85 për qind e tyre, apo 22.414 votues. Natyrisht se pas përfundimit të procesit të votimit në katër përfaqësi diplomatike që ndodhen në SHBA dhe Kanada, do të kemi të dhëna të përditësuara për pjesëmarrjen e përgjithshme në votime në kuadër të këtyre 30 përfaqësive diplomatike”, tha ai.
Elezi sqaroi gjithashtu se fletëvotimet e hedhura në përfaqësitë diplomatike nuk do të numërohen jashtë vendit, por do të transportohen në Kosovë.
“Për fund, sipas procedurave, këto fletëvotime nuk do të numërohen në përfaqësitë diplomatike, por gjatë ditëve në vazhdim do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, sipas procedurave të parapara të KQZ-së”, theksoi ai.
Në përmbyllje të konferencës, zëdhënësi i KQZ-së njoftoi se pas mbylljes së votimit në Amerikën e Veriut do të publikohet një njoftim zyrtar, ndërsa të dielën do të zhvillohet procesi i votimit në Kosovë.
“Unë ju falënderoj shumë për pjesëmarrjen në këtë konferencë dhe ju njoftoj se diku pas orës 1:15 do të kemi një njoftim me shkrim për të konfirmuar mbylljen e votimit në përfaqësitë diplomatike edhe në SHBA dhe Kanada. Ndërkaq, gjatë ditës së nesërme, e diel, do të zhvillohet procesi i votimit në Republikën e Kosovës. KQZ do të ketë komunikime të rregullta përmes konferencave të parapara në orare të ndryshme për të treguar lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor”, shtoi Elezi.


Gati gjysma e të regjistruarve në përfaqësitë diplomatike votuan deri në orën 13:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës po zhvillohet në të gjitha misionet e planifikuara, ndërsa deri në orën 13:00 kanë votuar 10,804 shtetas të regjistruar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencën e dytë për media, tha se me hapjen e vendvotimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, procesi tashmë është aktiv në të gjitha përfaqësitë diplomatike.
“Me fillimin e votimit në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, ju njoftojmë se tashmë procesi i votimit është duke vazhduar në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës”, deklaroi Elezi.
Duke prezantuar të dhënat e deritanishme, Elezi tha se pjesëmarrja ka qenë afër 39 për qind.
“Sipas të dhënave nga 26 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00 nga 27,724 votues të regjistruar, kanë votuar 38.97 për qind apo 10,804 votues”, bëri të ditur ai.
KQZ: Deri në orën 9 votuan 11.24% e votuesve në përfaqësi diplomatike
Deri në orën 09:00 të shtunën kanë votuar 11.24 për qind e votuesve të regjistruar në diasporë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvend.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, bëri të ditur se në orën 06:00, sipas kohës lokale në Kosovë, procesi i votimit ka filluar në ambasadën dhe konsullatën e Republikës së Kosovës në Ankara dhe Stamboll, ndërkaq, në orën 07:00, gjithashtu sipas kohës lokale në Kosovë, votimi ka filluar edhe në 24 përfaqësi të tjera diplomatike që ndodhen në Evropë.
Sipas të dhënave gjatë këtyre orëve të para të votimit nga 25 përfaqësi diplomatike ku ka filluar dhe po zhvillohet votimi, deri në orën 09:00, nga 27,724 votues të regjistruar, kanë votuar 11.24% % apo 3,117 votues.
Gjithashtu, u njoftua se votimi në dy përfaqësitë diplomatike në ShBA (Washington – ambasadë dhe New York – konsullatë) dhe në dy të tjera në Kanada (Otavë – ambasadë dhe Toronto – konsullatë), do të fillojë në orën 07:00 sipas kohës lokale në këto shtete, përkatësisht në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë.
Përfaqësitë diplomatike, në të cilat ka filluar dhe po zhvillohet procesi i votimit janë: 1. GJERMANI: - Berlin – ambasadë; - Frankfurt – konsullatë; - Hamburg – konsullatë; - Mynih – konsullatë; - Shtutgart – konsullatë; dhe - Dyseldorf – konsullatë. 2. ZVICËR - Bernë – ambasadë; - Gjenevë – konsullatë; dhe - Cyrih – konsullatë. 3. MBRETËRIA E BASHKUAR - Londër – ambasadë. 4. FRANCË - Paris – ambasadë; dhe - Strasburg – konsullatë. 5. BELGJIKË - Bruksel – ambasadë. 6. NORVEGJI - Oslo – ambasadë. 7. AUSTRI - Vjenë – ambasadë. 8. SUEDI - Stokholm – ambasadë. 9. SLLOVENI - Lubjanë – ambasadë. 10. DANIMARKË - Kopenhagë – konsullatë. 11. ITALI - Romë – ambasadë; dhe - Milano – konsullatë. 12. TURQI - Ankara – ambasadë; dhe - Stamboll – konsullatë. 13. KROACI - Zagreb – ambasadë. 14. HOLANDË - Hagë – ambasadë. 15. REPUBLIKA ÇEKE - Pragë – ambasadë. 16. HUNGARI - Budapest – ambasadë. Ndërkaq, procesi i votimit, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, do të fillojë në këto shtete: 17. SHBA - Washington – ambasadë; dhe - New York – konsullatë. 18. KANADË - Otavë – ambasadë; dhe - Toronto – konsullatë.
Në përgjithësi, votimi do të zhvillohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme. Numri i përgjithshëm i shtetasve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 27,724 votues. Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 6 qershor 2026, pasi në listën votuese e cila është dërguar në përfaqësi dipomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (6 maj – 17 maj 2026).


