Zgjedhjet 2025

Disa komisionerë konfirmuan shkeljet e disa u arsyetuan se s’patën njohuri për rregullat e numërimit

Tri ditë pas arrestimit të 109 personave për falsifikim të rezultateve të votimit, nuk ka njoftim për të ndaluar mes atyre që përfituan nga ky manipulim – kandidatët për deputetë. Shumica e të ndaluarve janë liruar në procedurë të rregullt, e një pjesë e atyre që janë në paraburgim kanë konfirmuar para Policisë se nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre gjatë numërimit

Në grupin prej 109 personave të dyshuar që i arrestoi Prokuroria Themelore në Prizren nuk gjendet asnjë kandidatë për deputetë, ndonëse nuk janë të paktë në numër ata që përfituan nga manipulimi i votave gjatë numërimit.

Ish-drejtori i Teatrit të Prizrenit, Fetah Paçarizi, është prej emrave më të përfolur në skandalin e vjedhjes së votave, pasi mbi 6.700 vota iu përshkruan rrejshëm në favor të tij. 

Paçarizi, që me gjithë këtë sasi votash të fituar në tavolinë nuk arriti të sigurojë ulësen në Kuvend, ka mohuar se ishte në dijeni se vjedhja po bëhej për favore të tij. 

Në një deklaratë për KOHËN ai tha se nuk është intervistuar asnjëherë për rastin.

Prokuroria Themelore në Prizren në një përgjigje për KOHËN vuri theksin te konferenca ku kryeprokurori Petrit Kryeziu tha se kandidatët nuk do të amnistohen dhe se rasti nuk ka si të ketë ndodhur ndryshe përveç se me marrëveshje mes tyre dhe komisionerëve të partive. 

“Lidhur me rastin në fjalë, me datë 23.01.2026, Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka mbajtur konferencë për media, gjatë së cilës janë dhënë përgjigje për përfaqësuesit e mediave, në përputhje me kompetencat ligjore dhe në masën që i lejohet prokurorisë të ndajë informata me opinionin publik në këtë fazë të hershme të hetimit. Ju njoftojmë se hetimet në këtë rast janë ende në zhvillim dhe çdo informatë shtesë në këtë fazë mund të dëmtojë integritetin e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë. 

Tre familjarë të afërt të kandidatëve për deputetë: A. H., G.P dhe I. P. gjatë intervistimit në polici e kanë pranuar se nuk i kanë respektuar rregullat e numërimit.

Rregullat zgjedhore përcaktojnë se “Asnjë anëtar i ekipit të numërimit nuk mund të numërojë dhe plotësojë votat e subjektit të vet” dhe se “Ekipi obligohet të bëjë numërimin e fletëvotimeve në mënyrë transparente”.

Djali i ish-deputetit Nait Hasani, A.H. i ka thënë Prokurorisë së Prizrenit se nuk ishte në dijeni për rregullat e numërimit. 

“I pandehuri A. H. në deklaratën e dhënë në polici më 23.01.2026 ka deklaruar se ka qenë kryesues i një tavoline të numërimit nga subjekti i PDK-së, ku detyra e tij ka qenë futja e të dhënave të subjekteve të tjera politike. Ka shtuar se nuk ka pasur dijeni për nenin 21 të Rregullores zgjedhore nr. 16/24”, thuhet në aktvendim. 

Njëri prej djemve të vëllait të Fetah Paçarizit, G.P, ishte vëzhgues, që nënkupton se e monitoron procesin, por vetë nuk merr pjesë në numërim. 

Por, për G. P. që ka mbajtur burgim për tentimvrasje në të shkuarën, Prokuroria pretendon se një kryesueseje i dha ryshfet e një tjetër e kanosi për t’ia lëshuar vendin në mënyrë që të fusë vetë rezultatet në sistem. Sipas aktvendimit për paraburgim, ai i ka mohuar dyshimin e prokurorisë për kanosje. 

E disa të pandehur, mes tyre edhe djali tjetër i vëllait të Fetah Paçarizit është arsyetuar se nuk diti si të numëronte, pasi nuk është trajnuar për këtë.

“I pandehuri I. P. në deklaratën e dhënë në polici me datë 23.01.2026 ka deklaruar se ka qenë anëtarë i komisionit, i zgjedhur nga PDK. Nuk ka qenë në dijeni për nenin 21 të Rregullores zgjedhore nr.16/24 dhe as që ka pasur ndonjë trajnim për këtë para se të hynte në komision”, shkruhet në aktvendim. 
E deklaratë vetinkriminuese dha kryesuesi B. B., i cili pranoi se komisionerët i plotësuan rezultatet e kandidatëve të partive të tyre. 
“I pandehuri B. B. në deklaratën e dhënë në polici ka deklaruar se ka qenë kryesues i vendnumërimit në QN në Prizren, i njëjti ka qenë nga subjekti politik LVV, duke shtuar se nuk kanë qenë të ndara detyrat dhe përgjegjësit nga kryesuesi i komisionit. Ka cekur se edhe persona të tjerë kanë vendosur të dhënat e kandidatëve të subjekteve të ndryshme politike gjë që nuk kanë pasur të drejtë, por i ka lejuar. Po ashtu ka ndodhur që gjatë numërimeve anëtarët e partive, nga e cila parti janë caktuar kanë lexuar fletëvotimet e atyre partive politike”, thuhet në aktvendim. 

Në disa raste, gjatë intervistimit në Polici, të dyshuarit ua hodhën përgjegjësinë kryesuesve. Në bazë të Rregullores për Qendrat Komunale të Numërimit, kryesuesit janë përgjegjës për organizimin, menaxhimin dhe mbarëvajtjen e numërimit. Por, rregullorja së cilës i është referuar prokuroria nuk amniston as anëtarët e komisioneve. 

“Ekipi i numërimit është përgjegjës për plotësimin e formularëve të rezultateve dhe saktësinë e tyre”, thuhet në këtë rregullore. 

Mbrojtja e J. H ka arsyetuar mosdërgimin në paraburgim me faktin se i dyshuari “ishte anëtar i komisionit dhe jo kryesues i tij”. E mbrojtësi i S. B., Muhamed Shala, e i kërkoi gjykatës që klientja e tij të mos çohej në paraburgim për arsye se është mësuese.  

Gjatë rinumërimit të plotë në Prizren, është hasur vjedhje masive të votave të kandidatëve dhe në mbushje të fletëvotimeve me hapësira boshe. Manipulim është konstatuar edhe në qytete të tjera, për çka KQZ-ja vendosi për rinumërim të plotë.