Zgjedhjet 2025

Nga një muaj paraburgim 23 të dyshuarve për manipulim me vota në Prizren

Manipulim votash, marrje e dhënie ryshfeti dhe kanosje janë tri veprat penale mbi të cilat Gjykata Themelore në Prizren ka mbështetur vendimin për t’ua caktuar nga një muaj paraburgim 23 të dyshuarve. Në aktvendimet e siguruara nga KOHA, është dhënë si arsye se veprimet e komisionerëve kanë cenuar drejtpërdrejt procesin zgjedhor, duke minuar besimin e qytetarëve në rendin demokratik dhe në shprehjen e lirë të vullnetit të tyre

Nga një muaj paraburgim u është caktuar 22 komisionerëve e një vëzhguesi të dyshuar për vjedhje dhe manipulim votash në Prizren, ndërsa 86 të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të Gjykatës Themelore në këtë qytet, të dielën.

Në katër aktvendimet e siguruara nga KOHA, masa e paraburgimit arsyetohet me veprat penale të cilat prokuroria i ka vlerësuar të natyrës së rëndë, si në aspektin juridik ashtu edhe në atë shoqëror.
Sipas aktvendimeve, 23 të arrestuarit dyshohen pos për manipulim votash, edhe për marrje dhe dhënie ryshfeti si dhe kanosje. 

I dyshuari G.P., familjar i Fetah Paçarizit, kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së, të cilit në numërimin fillestar iu përshkruan rrejshëm mbi 6.000 vota, sipas aktvendimit, në cilësinë e vëzhguesit dyshohet për kanosje dhe dhënie ryshfeti ndaj komisioneres A.V. në Prizren, e cila po ashtu është në mesin e të arrestuarve. 

Sipas aktvendimit, ai ka shfrytëzuar ‘userin’ e saj për të futur në sistem numër të madh votash të paqena.

A.V. e ka mohuar veprën e marrjes së ryshfetit, duke thënë se i pandehuri, pa pëlqimin e saj, ia ka futur 50 euro në xhep.

Sipas avokatit të saj, Hazer Susuri, kjo deklaratë e dhënë në polici më 23 janar, nuk është marrë parasysh nga gjykata gjatë vendimmarrjes për masën e paraburgimit. 

“Pasi që është në fazën e fundit të studimeve, nga gjykata kërkoj mirëkuptim që të mos caktohet masa e paraburgimit, pasi që nga shkurti e deri në mars është afati i provimeve të cilat i ka paraqitur dhe duhet t’u nënshtrohet, dhe kjo do të ndikonte negativisht në punën e saj”, ka thënë avokati Susuri, sipas aktvendimit për paraburgim.

E avokati Valon Kabashi, që përfaqëson të pandehurin G.P., i ka mohuar akuzat për dhënie ryshfeti dhe kanosje.

“Sa i përket veprës penale të kanosjes në përshkrimin faktik, sipas dispozitivit kundër të pandehurit, bëhet fjalë se janë përdorur shprehje si, bie fjala, ‘dil përjashta’, ‘shko në shtëpi’, me të cilat shprehje nuk konsistojnë elementet e veprës penale të kanosjes, ngase kjo vepër penale paraqet një kanosje serioze e cila ka për qëllim shkaktimin e një të keqeje personit që i drejtohet”, ka thënë ai, sipas aktvendimit për paraburgim.  

Komisioneri me inicialet F.LL. dyshohet se ka shtuar dhe hequr 6 mijë e 863 vota të kandidatëve për deputetë në 13 vendvotime. Avokati Bekim Parallangaj ka deklaruar se masa e paraburgimit është ndër më të rëndat në dispozitat ligjore dhe se ajo ndikon rëndë në gjendjen familjare të klientit i cili, sipas tij, mban nënën me diabet të tipit 2.

E për të pandehurin J.H., që në kërkesën e Prokurorisë përshkruhet si kryesues i komisionit, avokati i tij Blerim Mazreku ka kërkuar të verifikohet saktë pozita e tij, me arsyetimin se ka qenë vetëm anëtar i komisionit.

Bazuar në rinumërim të plotë të vendvotimeve në Prizren, komisionerët në Qendrën Komunale të Numërimit dyshohet se kanë devijuar rreth 70 mijë vota të kandidatëve për deputetë. 

Gjatë numërimit fillestar, mbi 40 mijë vota u janë shtuar disa kandidatëve, ndërsa mbi 27 mijë vota u janë hequr të tjerëve.

Manipulim me vota është hasur edhe në komuna të tjera, për ç’gjë KQZ-ja ka vendosur për rinumërim të plotë në nivel vendi, proces që është duke vazhduar.