Zgjedhjet 2025

Komisionerët dyshohen edhe për ryshfet

Krahas për falsifikim të rezultatit zgjedhor në Prizren, komisionerë që numëruan vota në Prizren dyshohen edhe për marrje të ryshfetit e për kanosje. Prokuroria Themelore ka kërkuar paraburgimin e 22 prej tyre dhe të një vëzhguesi. Gjykata i ka organizuar 4 seanca për caktimin e kësaj mase të sigurisë ndaj personave që e devijuan rezultatin zgjedhor

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar masë paraburgimi për 23 persona nga 109 sa u arrestuan të premten për manipulim votash të kandidatëve për deputetë.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj, bëri të ditur se deri në orën 16:00 u pranuan kërkesa për paraburgimin e 22 komisionerëve dhe të një vëzhguesi, që dyshohen për tri vepra penale.

Shtatë nga ta janë të PDK-së, pesë nga Vetëvendosje, katër nga LDK-ja, katër nga AAK-ja, një nga BD e një nga KDTP.

“Pra 21 të pandehur në cilësinë e komisionerit, të dyshuar për veprën penale ‘Falsifikim i rezultateve të votimit’, një të pandehur komisionere për dy vepra penale: ‘Falsifikim i rezultateve të votimit’ dhe ‘Marrje e ryshfetit’, dhe për një të pandehur në cilësinë e vëzhguesit për dy vepra penale: ‘Kanosja’ dhe ‘Dhënia e ryshfetit’”, ka bërë të ditur Marcel Lekaj, zëdhënës i Gjykatës Themelore në Prizren.

Përgatitjet për sjelljen e këtyre personave në seancë, Gjykata i nisi më herët.

Në oborrin e saj, policia liroi terrenin.

E brenda u caktuan 4 gjyqtarë kujdestarë, për shkak të numrit të lartë të të arrestuarve.

Më i lartë është numri i avokatëve, që pritën jashtë oborrit të Gjykatës për përfaqësim të klientëve të tyre.

Furgoni i parë i Policisë i solli 8 persona.

Ky është grupi i parë me të cilin nisi edhe seanca e përcaktuar për orën 14:00.

Pas tij erdhën edhe disa grupe të tjera në dy furgonë të Policisë, me të cilët u mbajt seanca e dytë e caktuar për orën 15:00.

Deri në fund të ditës u caktuan edhe dy seanca të tjera.

Zëdhënësi i Gjykatës njoftoi se vendimet për katër seancat e mbajtura do të përpilohen brenda afatit.

“Gjykata brenda afatit, deri në fund të ditës, deri në përfundim të afatit, do t’i përpilojë vendimet referuar kërkesave të Prokurorisë Themelore”, ka thënë Lekaj.

Seancën e ka monitoruar edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i cili ka kërkuar respektim të prezumimit të pafajësisë e edhe kujdes maksimal nga Gjykata ndaj ruajtjes së integritetit të të dyshuarve.

“Mendoj se është njëra prej rasteve të rënda që ka ndodhur në Kosovë, por që apeli im është që edhe drejtësia duhet të jetë e kujdesshme që asnjë person i pafajshëm të mos jetë pjesë e një procesi ku mund të dëmtohet integriteti i tij”, ka thënë Qelaj.

Komisionerët në Qendrën Komunale të Numërimit në Prizren i devijuan rreth 70 mijë vota të kandidatëve për deputetë.

Gjatë numërimit të rezultateve i shtuan mbi 40 mijë vota për disa kandidatë e i hoqën mbi 27 mijë vota nga disa të tjerë.

Sipas Prokurorisë së Prizrenit, kjo u bë në koordinim mes komisonerëve të partive më të mëdha politike.

Për pasojë, me urdhër të Prokurorisë e me një aksion të Policisë, të premten komisionerët e dyshuar për abuzim me vota u vunë nën pranga dhe u ndaluan për 48 orë.