Arbëri

Kërkohet paraburgim për gjashtë nga 109 të ndaluarit për manipulim votash në Prizren

Prizren

(E përditësuar 12:58) - Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar masën e paraburgimit për gjashtë nga 109 të ndaluarit për dyshimet për manipulime me vota, ka mësuar KOHA nga burimet.

Seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj të ndaluarve pritet të nisë sot nga ora 14:00.

Sipas burimeve, ndaj 25 të tjerëve është kërkuar aktvendim për nisjen e hetimeve.

78 të tjerët pritet të lirohen.


Pritet t’u caktohet masa e sigurisë 109 të arrestuarve për manipulim të votave

(11:45) - Sot, 24 janar, pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj 109 të arrestuarve për manipulim me vota në Komunën e Prizrenit nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se ga ora 14:00, nis seanca me qëllim të organizimit dhe mbarëvajtjes së procesit, por theksoi se ende nuk ka përfunduar procesi i pranimit të kërkesave nga Prokuroria Themelore Prizren për caktimin e masës së sigurisë, pra ende nuk është përfundimtare numri i kërkesave të pranuara dhe për numrin e personave për të cilët do të kërkohet masa e sigurisë.

109 persona u arrestuan të premten për vepra penale të falsifikimit të rezultateve zgjedhore, presion e kanosje dhe dhënie e marrje të ryshfetit. Sipas Prokurorisë Themelore të Prizrenit, mbi 40 mijë vota janë shtuar e mbi 27 mijë janë hequr.

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka thënë një ditë më parë se manipulimi me vota nuk do të ishte i mundur pa kompromis midis komisionerëve të deleguar nga katër partitë më të mëdha politike.

“Në regjionin tonë ato që janë numëruar nga subjektet politike në QKN është vetëm një vendvotim që ka dalë e pakeqpërdorur. Në Komunën e Prizrenit, 40,497 vota janë shtuar e janë hequr 27,520 vota. Diferenca totale e keqpërdorimeve është 68,017 vota”, ka thënë Kryeziu.