Përveç falsifikimit të rezultateve zgjedhore në Prizren, komisionerët që morën pjesë në procesin e numërimit të votave dyshohen edhe për marrje të ryshfetit dhe kanosje. Prokuroria Themelore ka kërkuar paraburgimin për 23 persona, përkatësisht 22 komisionerë dhe një vëzhgues, nga gjithsej 109 persona të arrestuar në aksionin policor të së premtes.
Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, ka bërë të ditur se kërkesat për paraburgim janë dorëzuar deri në orën 16:00 dhe se të dyshuarit përballen me tri vepra penale: falsifikim të rezultateve të votimit, marrje ryshfeti dhe kanosje. Të dyshuarit vijnë nga subjekte të ndryshme politike, përfshirë PDK-në, Vetëvendosjen, LDK-në, AAK-në, BD-në dhe KDTP-në.
Për shkak të numrit të madh të të arrestuarve, Gjykata ka organizuar katër seanca gjatë ditës, me angazhimin e katër gjyqtarëve kujdestarë. Personat e dyshuar janë sjellë në grupe me furgonë të Policisë, ndërsa një numër i madh avokatësh kanë pritur jashtë gjykatës për përfaqësimin e klientëve të tyre.
Procesin e ka monitoruar edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i cili ka kërkuar respektim të prezumimit të pafajësisë dhe kujdes maksimal për mbrojtjen e integritetit të të dyshuarve, duke theksuar se rasti është ndër më të rëndët në Kosovë.
Sipas Prokurorisë së Prizrenit, në Qendrën Komunale të Numërimit janë devijuar rreth 70 mijë vota, ku mbi 40 mijë u janë shtuar disa kandidatëve dhe mbi 27 mijë u janë hequr të tjerëve. Ky manipulim dyshohet se është bërë në koordinim mes komisionerëve të partive të mëdha politike, çka ka çuar në arrestimin dhe ndalimin e tyre për 48 orë.