Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Drejtuesit e QSP-së thonë se përballen me mungesë stafi e kushtesh. Komuna i mohon

Qendra për Punë Sociale në Ferizaj

Mungesa e stafit profesional, kushtet e papërshtatshme të punës dhe mungesa e mjeteve të transportit po vështirësojnë punën në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Drejtuesit e kësaj qendre thonë se, pavarësisht këtyre vështirësive, vazhdojnë të ofrojnë shërbime me kapacitetet që kanë. Ndërkaq, nga Komuna e Ferizajt kanë dhënë një version tjetër lidhur me problemet e ngritura.

Me mungesë të stafit profesional, transportit dhe hapësirave të papërshtatshme po përballen punonjësit në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Por edhe pse jo në kushte të mira pune, kjo qendër vazhdon të ofrojë shërbime dhe mbrojtje sociale për qytetarët në nevojë.

Se kanë vështirësi për të ofruar shërbime e pranojnë edhe vetë drejtuesit e saj, duke thënë se stafi aktual nuk është i mjaftueshëm për t’u plotësuar të gjitha kërkesat.

Sfidë për këtë qendër paraqet edhe sigurimi i mjeteve për transport në terren.

Edhe Qendrat për Punë Sociale me mungesë stafi e kushtesh për punë, një punonjës trajton qindra raste Arbëri Qendrat për Punë Sociale me mungesë stafi e kushtesh për punë, një punonjës trajton qindra raste

“Qendra disponon një automjet jo të përshtatshëm dhe të vjetër, por ka vështirësi me sigurimin e derivateve për punën në terren dhe Qendra nuk ka qasje të përshtatshme për personat me nevoja të veçanta, por disponon një dhomë për realizimin e kontakteve të fëmijëve me prindërit e tyre”, thuhet nga kjo qendër. 

Në këtë qendër janë të angazhuar dy punëtorë socialë, një sociologe dhe dy psikologë, të cilët, sipas legjislacionit, ushtrojnë funksionin e punonjësve socialë. 

Por në Komunën e Ferizajt i mohojnë ankesat që janë bërë nga punonjësit e QPS-së.

“Komuna e Ferizajt ka vënë në dispozicion të Qendrës për Punë Sociale dy vetura zyrtare, të cilat janë në gjendje të rregullt funksionale dhe i përmbushin kërkesat, përfshirë edhe furnizimin me derivate sipas kërkesave. Ndërsa, sa i përket objektit, ndonëse ai i është nënshtruar renovimit, kjo ka përmirësuar dukshëm dhe cilësisht kushtet e punës në këtë institucion”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Ata kanë thënë se vazhdimisht ka parashtruar kërkesa pranë nivelit qeveritar për shtimin e stafit në sektorë të ndryshëm komunalë, përfshirë edhe institucionin përkatës.

Edhe Mbeten pa shërbime 50 persona me Sindromën Down Arbëri Mbeten pa shërbime 50 persona me Sindromën Down

Koha ka kontaktuar sërish Qendrën për Punë Sociale për të kuptuar se ku qëndron e vërteta, por nuk ka marrë përgjigje.

Koha ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, e cila ka rol në mbikëqyrjen dhe inspektimin e zbatimit të standardeve të shërbimeve sociale, për të kuptuar nëse këto probleme janë evidentuar edhe në nivel qendror dhe çfarë masash mund të ndërmerren për adresimin e tyre. 

Megjithatë, deri në publikimin e këtij raporti, nuk ka marrë përgjigje.

Qendrat për Punë Sociale ofrojnë shërbime dhe mbrojtje sociale për individët dhe familjet në nevojë, përfshirë fëmijët, viktimat e dhunës në familje, personat me aftësi të kufizuara dhe kategoritë e tjera në nevojë.

Edhe Në rrezik transporti i pacientëve në dializë dhe shërbimet emergjente në Ferizaj Arbëri Në rrezik transporti i pacientëve në dializë dhe shërbimet emergjente në Ferizaj

Sipas Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare, punët profesionale në QPS kryhen nga punonjës socialë, juristë, psikologë dhe profesionistë të tjerë.

Kushte jo të mira dhe mungesë të stafit kanë edhe shumë Qendra për Punë Sociale në Kosovë, si në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut.