Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

UP-ja shqyrton veprime ligjore ndaj Scopusit për regjistrimin e Universitetit si pjesë të Serbisë

Universiteti i Prishtinës

Rektorati po e shqyrton mundësinë e përballjes ligjore me kompaninë Elsevier, që administron platformën shkencore Scopus, e ku UP-ja paraqitet si pjesë e Serbisë. Në Rektorat kanë thënë se, pavarësisht përpjekjeve institucionale dhe diplomatike, problemi nuk është zgjidhur

Betejë ligjore synon të nisë Universiteti i Prishtinës ndaj kompanisë Elsevier, e cila administron platformën shkencore Scopus, për shkak të paraqitjes së këtij institucioni si pjesë e Serbisë.

Në një përgjigje me shkrim për KOHËN, Rektorati ka bërë të ditur se, pavarësisht komunikimeve të vazhdueshme me përfaqësuesit e Elsevier-it dhe përpjekjeve për korrigjimin e të dhënave, problemi ende nuk është zgjidhur në mënyrë të përhershme.

Megjithatë, UP-ja nuk ka specifikuar se cilat veprime ligjore po shqyrton dhe nëse ka vendosur për nisjen e ndonjë procedure konkrete.

“Përveç Universitetit, në trajtimin e kësaj problematike janë përfshirë edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Holandë. Meqë përpjekjet e deritanishme nuk kanë sjellë një zgjidhje të përhershme, Universiteti po shqyrton edhe mundësitë ligjore për mbrojtjen e interesave të tij dhe sigurimin e pasqyrimit të saktë të të dhënave”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.

Javën e shkuar, KOHA raportoi se platforma ndërkombëtare “Scopus”, e cila indekson punimet shkencore dhe mundëson vlerësimin e autorëve, revistave dhe ndikimit të kërkimeve akademike, në shumë raste i regjistron studiuesit kosovarë si pjesë të Serbisë.

“Edhe pse identifikimi i pasaktë nuk do të thotë domosdoshmërisht që publikimet nuk indeksohen apo nuk i atribuohen Universitetit, ai mund të ndikojë në saktësinë e statistikave dhe analizave sipas shteteve. Për këtë arsye, korrigjimi është i rëndësishëm jo vetëm për përfaqësimin e drejtë institucional, por edhe për pasqyrimin objektiv të kontributit shkencor të Kosovës në nivel ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.

Edhe Publikimet shkencore të studiuesve kosovarë në “Scopus”, si kontribut i Serbisë Arbëri Publikimet shkencore të studiuesve kosovarë në “Scopus”, si kontribut i Serbisë

Megjithatë, njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, nuk shpreh pritje që veprimet ligjore të UP-së të sjellin zgjidhje për këtë problem, pasi thotë se ajo varet nga çështje si anëtarësimi i Kosovës në OKB, njohja nga të gjitha vendet e BE-së apo edhe pranimi në Këshill të Evropës.

“Ky është padyshim një problem sepse edhe i rriten meritat Serbisë dhe i zvogëlohen meritat Kosovës. Është edhe problem politik, është edhe problem i ndjenjës së përkatësisë dhe krenarisë kombëtare, prandaj po është problem shumë i madh për ne kështu siç është, por është i parregullueshëm tash derisa të rregullohet statusi i Kosovës”, ka thënë Rexhaj.

Përderisa njohësit e arsimit thonë se njohja nga Scopus e hulumtimeve të shkencëtarëve nga Kosova si kontribut i Serbisë lidhet me sistemin e kodeve shtetërore që mirëmbahen nga OKB-ja, ku Kosova nuk është anëtare, në Ministrinë e Arsimit kanë theksuar se po bëhen përpjekje diplomatike për ndryshimin e kësaj situate.