Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria ia numëron vetes dështimet

Mbledhja e qeverise Buxheti

Foto: Driton Paçarada

Në një dokument që e ka hartuar vetë Zyra e Kryeministrit, flitet për ngadalësim të rritjes ekonomike, për administratën publike që nuk ka përmbushur synimet. E për drejtësinë, arsimin e shëndetësinë janë evidentuar probleme

Tre vjet pas miratimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030, vlerësimi afatmesëm që e ka bërë Qeveria flet për reforma të vonuara dhe dështime në sektorë kyçë të shtetit.

Dokumenti i hartuar nga Zyra për Planifikim Strategjik, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, tregon për ngathtësi në realizimin e shumë aktiviteteve të listuara në dokumentin kryesor strategjik të shtetit, i cili përcakton vizionin dhe orientimet afatgjata për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.

“Shumë masa dhe aktivitete të PKZH-së (Planit Kombëtar për Zhvillim) filluan dhe përparuan, por një pjesë e konsiderueshme nuk përfundoi brenda afatit. Shkalla mesatare e përfundimit të aktiviteteve ishte ndërmjet 25% dhe 50%, me minimum 18% dhe maksimum rreth 58%”, thuhet në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030.

Në dokument janë listuar edhe disa nga shkaqet që e kanë prodhuar këtë rezultat. Në mesin e tyre janë përmendur pasojat nga moskonstituimi i institucioneve në kohë pas zgjedhjeve të vitit 2025, e edhe ndryshimet në mbështetjen e partnerëve zhvillimorë, përfshirë ndërprerjen e programeve të USAID-it dhe masat e BE-së të vendosura në vitin 2023.

Dokumenti tregon se reformat përparuan më mirë aty ku kishin mbështetje të qartë politike, financim të siguruar dhe koordinim të mirë ndërmjet institucioneve. 

“Lidhja me buxhetin mbetet pika më e dobët: shkalla e harmonizimit të planeve strategjike me buxhetin ra nga 75% në 38.5% në vitin 2024”, thuhet në dokument.

Te pjesa që i referohet kornizës makrofiskale, dokumenti tregon se shteti nuk ka pasur performancë të mirë ekonomike.

“Kosova ka ruajtur stabilitetin makroekonomik, megjithëse aktiviteti ekonomik është ngadalësuar dhe presionet inflacioniste janë intensifikuar. Rritja reale e Bruto Produktit Vendor (BPV) u ngadalësua nga 4.6% në vitin 2024 në 3.6% në vitin 2025. Pas rënies në 1.6% në vitin 2024, inflacioni mesatar u rrit në 3.9% në vitin 2025, ndërsa deri në shtator inflacioni vjetor mesatar për vitin 2026 arriti në 6.7%”, thuhet në dokument.

Probleme janë konstatuar edhe në administratën publike e në diplomaci.

“Cilësia e hartimit të politikave dhe reforma e administratës publike mbetën pas synimeve. Numri i komunave që plotësuan kriteret për Grantin e Performancës Komunale ra nga 14 në 5, megjithëse ky tregues nuk e pasqyron plotësisht performancën e qeverisjes lokale. Reforma e ndërmarrjeve publike ka përparuar pak. Në politikën e jashtme, aktivitetet u zbatuan përgjithësisht mirë, por rezultatet ishin të vështira për t’u matur, sepse shumicës së treguesve u mungonin vlerat bazë dhe synimet”, thuhet në dokument.

Ngecje janë evidentuar në arsim, shëndetësi e mbrojtje sociale.

Ndërkaq, për dallim nga mbrojtja dhe siguria, ku ndarjet buxhetore arritën synimin, dokumenti tregon se drejtësia nuk ka shënuar përmirësim të dukshëm dhe evidentohet e dhëna se numri i lëndëve të pazgjidhura u rrit në çështjet civile dhe administrative.