Studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës nuk duan të evidentojnë vijueshmërinë përmes QR-Kodeve dhe për këtë, të mërkurën, kanë nisur bojkotin e procesit mësimor. E nga Rektorati kanë thënë se nuk do të heqin dorë nga digjitalizimi i evidentimit
Studentët e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës e kanë nisur të mërkurën bojkotin e procesit mësimor.
Ata po e kundërshtojnë sistemin e evidentimit të vijueshmërisë përmes QR-kodeve.
Studentët theksojnë se në sistemin e QR-kodeve janë paraqitur probleme të shumta me aplikacionin. Po ashtu, theksojnë mungesën e internetit në fakultet, i cili është i nevojshëm për funksionimin e sistemit të “e-vijueshmërisë”.
Për këtë çështje, të mërkurën studentët patën një takim mbi dy-orësh në Rektorat e pas tij, thanë se nuk do të tërhiqen nga bojkoti deri në plotësimin e kërkesës.
“Një tjetër pikë është që Rektorati, më 15 qershor, ka lëshuar një njoftim, i cili thotë që vijueshmëria në këtë sistem, nëse nuk arrihet përqindja e kërkuar, pas tri mungesave, studentit do t’i ndalohet hyrja në provim. Kjo është shumë problematike, meqenëse ky sistem i evidentimit me QR-kod nuk arrin ta tregojë vijueshmërinë reale. Si rrjedhojë, kemi të bëjmë me penalizim të studentëve dhe me një sistem i cili e dëmton studentin”, ka thënë studenti Dion Bajramak.
E prorektorja Majlinda Gjelaj tha se Rektorati nuk do të tërhiqet nga përdorimi i QR-kodeve.
“Po, faktikisht, këta kanë kërkuar që i gjithë Rektorati të bëjë një hap prapa dhe të hiqet fare ky lloj skanimi në ligjërata. Sipas tyre, problematikë, përveç skanimit, mund të jetë edhe çështja e tri mungesave. Këtë do ta diskutojmë. Ne duhet t’u themi profesorëve që të mos e përdorin këtë ndëshkim me tri mungesa, sepse nuk është ndonjë akt ligjor, statutor apo rregullore që i përcakton tri mungesa. Këtë do t’ia përcjellim të gjithë stafit, që të jenë më fleksibil në këtë aspekt. Megjithatë, ne qëndrojmë pranë përdorimit të QR-kodeve dhe digjitalizimit”, ka thënë ajo.
Kundër bojkotit të studentëve u shpreh edhe profesoresha e Mjekësisë, Hatixhe Latifi-Pupovci. Sipas saj, është e papranueshme që çështja e QR-kodeve të bëhet shkak për bojkot.
“Studentët që zgjedhin të bojkotojnë ushtrimet duhet të mbajnë përgjegjësi për mungesat e tyre. Ndërsa studentët e interesuar për mësimdhënie cilësore nuk duhet të bien pre e atyre individëve (studentëve dhe stafit akademik) të cilët janë të interesuar të gjejnë mënyra për të anashkaluar çdo normë të ndershme akademike”, ka thënë Latifi-Pupovci.
Sistemi i QR-kodeve si pilot projekt nisi më 2025 në Fakultetin e Mjekësisë. Studentët e refuzuan atë, për t’u bindur që ta përdorin vetëm para një muaji për ligjërata, e jo edhe për ushtrime.