Komisioni hetimor parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt ka vendosur t’i angazhojë tre ekspertë të jashtëm nga fusha penale, sociale dhe e dhunës në familje. Ata do të ndihmojnë në shqyrtimin e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve përgjegjëse për këtë rast
Në mbledhjen e Komisionit hetimor parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, të mërkurën, është propozuar angazhimi i ekspertëve të jashtëm, për të ndihmuar në trajtimin e çështjeve që lidhen me veprimet dhe mosveprimet e institucioneve për këtë rast.
Mbledhja ishte paraparë për në orën 9:00, por në mungesë të kuorumit nisja u shty për tri orë.
Kryetari i komisionit, Adnan Rrustemi, tha se nevojiten tre ekspertë nga fusha të ndryshme.
“Në përputhje me vendimin e Komisionit, neve na duhet angazhimi i tre ekspertëve në tri fusha të ndryshme. E para, një ekspert i fushës penale që do të na ndihmojë në aspektin e veprimeve dhe mosveprimeve në institucionet e drejtësisë, një ekspert për punë sociale që është i domosdoshëm të na ndihmojë në raportin dhe komunikimin me Qendrën për Punë Sociale dhe punëtorët socialë, si dhe një ekspert për dhunën në familje”, ka thënë Rrustemi, i cili është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërkaq, anëtarja e komisionit, Besa Kabashi Rama, e cila është deputete e Partisë Demokratike, u shpreh se për ekspertin që do të merret me pjesën sociale duhet një kandidat që ka eksperiencë në mbrojtjen e fëmijëve.
“Për dimensionin social, kemi nevojë për dikë që ka ekspertizë në vlerësimin e qendrave për punë sociale dhe dikush që ka pasur eksperiencë në mbrojtjen e fëmijëve. Po e shoh të nevojshme se nëse identifikojmë një kandidat që mundet së paku me u përafru, këtu po e shoh si hallkën më të sfiduar të kandidatëve”, ka thënë Kabashi-Rama.
Kandidatët e propozuar u votuan me shumicë votash.
Emina Avdyli Buzhala mori gjashtë vota për dhe do të angazhohet në fushën penale, Besarta Breznica mori tetë vota për dhe do të veprojë në fushën e dhunës në familje me bazë gjinore, ndërsa Skënder Kandiq mori pesë vota për dhe do të merret me aspektin social.
Më 29 tetor, Kuvendi miratoi me 90 vota për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Zekaj u vra më 25 tetor 2026, në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari për vrasjen është ish-kunati i saj, Albert Syla. Krimi ndaj saj është kryer pak minuta pas kthimit nga policia ku e denoncoi bashkëshortin për shkelje të urdhrit mbrojtës, dhe tri ditë pasi iu ankua kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë se mund të vritej, nëse institucionet nuk veprojnë.