Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Ekonomi

Banka Botërore: Projektbuxheti la më pak burime për ta zvogëluar varfërinë

Banka Boterore

“Shpenzimet aktuale, përfshirë pagat dhe transferet, janë pjesë legjitime e buxhetit, por vlera e tyre varet nga sa mirë shënjestrohen. Shënjestrimi ka rëndësi sepse transferet që arrijnë tek ata që kanë më shumë nevojë, mbrojnë më efektivisht të cenueshmit, përderisa rritja e fundit e transfereve me bazë të gjerë i ka bërë shpenzimet më pak efikase”, thuhet në një përgjigje që Banka Botërore e ka dhënë për KOHËN. “Me rritjen e këtyre zotimeve të përhershme, buxheti është bërë më pak fleksibil, duke lënë më pak burime për shëndetësinë, arsimin, energjinë dhe infrastrukturën tjetër që mbështesin rritjen ekonomike dhe zvogëlimin e varfërisë, si dhe më pak hapësirë për t’iu përgjigjur tronditjeve”

Banka Botërore (BB) ka vlerësuar se nëpërmjet projeksioneve buxhetore për vitin 2027, Kosova ka lënë më pak burime për ta zvogëluar varfërinë. E ka thënë këtë duke rikujtuar se varfëria luftohet, nëpërmjet investimeve në shëndetësi, arsim, energji dhe infrastrukturë.

Në një përgjigje që ky institucion ka dhënë për KOHËN theksohet se Kosova ka menaxhuar me kujdes financat publike vitet e fundit, duke mbajtur deficitin fiskal të ulët, brenda rregullave fiskale, dhe të mbështetur nga rritja e fortë ekonomike.

Borxhi publik arriti në 16.4 për qind të PBB-së deri në shtator 2026, niveli më i ulët në Ballkanin Perëndimor, ndërsa deficiti mbeti brenda kufirit fiskal prej 2 për qind të PBB-së.

E, pyetja kryesore që ka ngritur banka Botërore tani është se si të shfrytëzohet mirë hapësira në buxhet. Sipas këtij institucioni, gjatë dekadës së fundit, shpenzimet me ndikim afatshkurtër kanë pasur përparësi ndaj investimeve afatgjata dhe reformave strukturore, që mund të sjellin ndikim afatgjatë në rritjen ekonomike dhe vendet e punës.

“Shpenzimet aktuale, përfshirë pagat dhe transferet, janë pjesë legjitime e buxhetit, por vlera e tyre varet nga sa mirë shënjestrohen. Shënjestrimi ka rëndësi sepse transferet që arrijnë tek ata që kanë më shumë nevojë mbrojnë më efektivisht të cenueshmit, përderisa rritja e fundit e transfereve me bazë të gjerë i ka bërë shpenzimet më pak efikase”, thuhet në përgjigjen e BB-së. “Me rritjen e këtyre zotimeve të përhershme, buxheti është bërë më pak fleksibil, duke lënë më pak burime për shëndetësinë, arsimin, energjinë dhe infrastrukturën tjetër që mbështesin rritjen ekonomike dhe zvogëlimin e varfërisë, si dhe më pak hapësirë për t’iu përgjigjur tronditjeve”.

Sipas institucionit me Bazë në Uashington, prioriteti kryesor për Kosovën është të balancojë nevojat afatshkurtra me objektivat afatgjata të zhvillimit. Kjo, sipas këtij institucioni, nënkupton mbajtjen e shpenzimeve rrjedhëse të shënjestruara mirë dhe efikase, për të mbrojtur më të cenueshmit, pa cenuar prioritetet e tjera.

“Nënkupton gjithashtu mbrojtjen e nivelit dhe cilësisë së shpenzimeve kapitale ashtu që ato të mos zhvendosen nga zotimet e përsëritura, si dhe vlerësimin e kujdesshëm e menaxhimin e mirë të projekteve të investimeve publike, ashtu që paratë të shpenzohen me efikasitet”, thuhet në përgjigje. “Forcimi i rezervave fiskale është po aq i rëndësishëm. Kosova është një ekonomi e euroizuar pa autonomi në politikën monetare të brendshme, prandaj politika fiskale është mjeti kryesor për menaxhimin e tronditjeve. Rezervat e mjaftueshme i mundësojnë qeverisë të mbrojë më të cenueshmit dhe të ruajë investimet gjatë periudhave të rënies ekonomike, pa përdorur masa të kushtueshme”.

Në Projektbuxhetin për vitin 2027, Qeveria ka paraparë që 60 për qind e tij të shpenzohet për paga, subvencione e transfere.

Pjesa tjetër prej 40 për qind është ndarë për investime kapitale dhe mallra e shërbime.

Por, edhe mjetet e ndara për investime kapitale nuk arrijnë të shfrytëzohen.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, deri në shtator të këtij viti janë realizuar vetëm 30% e investimeve kapitale të planifikuara.

Në përgjigjen e BB-së janë dhënë vlerësime edhe për rreziqet për qëndrueshmërinë e financave publike, nëse obligimet rriten pa një rritje përkatëse të të hyrave buxhetore dhe të kapacitetit prodhues të ekonomisë.

“Kosova nis nga një pozicion i fortë me borxh publik të ulët, buxhet të bazuar në rregulla dhe borxh që është i qëndrueshëm sot. Rreziqet paraqiten nëse ky pozicion nuk mbrohet ose përkeqësohet. Nëse shpenzimet rriten më shpejt se të ardhurat dhe kapaciteti prodhues i ekonomisë, buxheti bëhet më pak fleksibil. Kjo duket tashmë në nivelin dhe përbërjen e shpenzimeve: shpenzimet janë rritur vitet e fundit, pjesërisht për shkak të subvencioneve dhe transfereve, që u rritën për rreth 24 për qind midis 2024 dhe 2026 dhe shtuan zotime të cilat është vështirë të kthehen prapa”, thuhet në përgjigje. “Nëse presionet për shpenzime rriten pa një rritje proporcionale të të ardhurave, qeveria do të ketë më pak hapësirë për t’u përgjigjur ndaj tronditjeve, për të mbrojtur njerëzit dhe për të vazhduar investimet. Nëse këto presione materializohen, rritja e borxhit dhe zvogëlimi i kursimeve mund ta bëjnë borxhin më të vështirë për t’u menaxhuar me kohën. Trendet në popullsi e shtojnë presionin, ku shumë njerëz në moshë pune po largohen nga vendi. Kjo do të thotë më shumë përfitues të pensioneve dhe shërbimeve shëndetësore dhe më pak kontribuues në sistem. Me rritjen po ashtu të kostos së kujdesit shëndetësor dhe pensioneve, shpenzimet mund të rriten më shpejt se të ardhurat edhe pa vendime të reja politike”.

Sipas BB-së, për të mbajtur financat publike të qëndrueshme, prioritet duhet të jetë të sigurohen më shumë burime në buxhet dhe të përdoren më mirë. Sipas kësaj organizate monetare, kjo do të thotë të rriten të ardhurat vendore, së pari duke përmirësuar pajtueshmërinë tatimore, veçanërisht duke trajtuar nivelin e lartë të informalitetit, dhe pastaj duke zgjeruar bazën tatimore, dhe duke mbajtur shpenzimet e përhershme në përputhje me atë që të ardhurat mund të përkrahin. Gjithashtu, sipas BB-së, kjo nënkupton planifikim të hershëm për koston në rritje të pensioneve dhe kujdesit shëndetësor. Ky institucion thekson se, bashkë me rezervat fiskale më të forta, kjo do të ndihmonte Kosovën të ketë qëndrueshmëri në një kohë të pasigurisë së vazhdueshme jashtë vendit.

Në Bankën Botërore i kanë dhënë përgjigje pyetjes nëse ekziston rreziku që angazhimet afatgjata për paga dhe transfere sociale të kufizojnë hapësirën buxhetore për investime publike dhe sektorë që ndikojnë në rritjen ekonomike.

“Cilësia e shpenzimeve ka po aq rëndësi sa niveli i tyre. Fondet e shënjestruara mirë dhe që japin rezultate sjellin shumë më tepër përfitime për rritjen ekonomike dhe për njerëzit sesa e njëjta shumë e shpenzuar keq. Shpenzimet e përsëritura janë rritur shpejt vitet e fundit, të nxitura nga shpenzimet për mbrojtjen sociale, dhe vazhdojnë të jenë në rritje. Transferet sociale janë rritur me rreth 100 milionë EUR çdo dy vjet që nga viti 2013. Rritjet e përfitimeve sociale midis viteve 2024 dhe 2026 e kanë përforcuar këtë trend. Një pjesë e madhe e shpenzimeve për transferet sociale janë kryesisht të pashënjestruara për të arritur te më të varfrit. Si rezultat, buxheti është bërë më i ngurtë, që do të thotë se një pjesë më e madhe e shpenzimeve është e zotuar ndaj obligimeve të vazhdueshme që janë të vështira për t’u kthyer prapa. Kjo është kryesisht për shkak të rritjes së pensioneve, të cilat ndërtohen mbi një numër të madh programesh kategorish të veçanta”, thuhet në përgjigje. “Ngurtësia është problem sepse e bën më të vështirë mobilizimin e burimeve për t’u përgjigjur ndaj tronditjeve, investimin në rritje ekonomike afatgjatë ose përshtatjen ndaj ndryshimit të prioriteteve. Kur investohet më pak në infrastrukturë, në aftësim dhe në përmirësimin e mjedisit për biznes, rritja ekonomike ngadalësohet dhe krijohen më pak vende pune”.

Banka Botërore ka dhënë vlerësime edhe për qëndrueshmërinë e këtyre politikave në afat të mesëm dhe të gjatë, veçanërisht në rastet kur shpenzimet e përsëritshme vazhdojnë të rriten, ndërsa të hyrat buxhetore mund të mos kenë të njëjtin ritëm rritjeje.

Sipas këtij institucioni, qëndrueshmëria duhet të vlerësohet përmes një kombinimi të rregullave të qarta, planifikimit afatmesëm dhe analizës që shikon përpara.

Banka Botërore ka rikujtuar se në Kosovë, kornizën kryesore e ofron Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Llogaridhënien, duke kufizuar shumën me të cilën shpenzimet mund të tejkalojnë të ardhurat dhe duke lënë hapësirë për t’iu përgjigjur tronditjeve kur ato paraqiten. Megjithatë, sipas saj, rregullat janë të nevojshme, por jo të mjaftueshme, e për këtë në përgjigje është theksuar se vlerësimi duhet të shkojë përtej pajtueshmërisë vjetore.

“Në aspektin afat mesëm, çështjet kryesore janë nëse zotimet e vazhdueshme, përfshirë ato të përcaktuara me ligj si pagat, pensionet dhe transferet, përputhen me të ardhurat e pritura, dhe nëse mbetet hapësirë për investime që mbështesin rritjen ekonomike dhe vendet e punës. Në aspektin afatgjatë, analizat e rregullta të qëndrueshmërisë së borxhit dhe testet e stresit duhet të shqyrtojnë skenarë të pafavorshëm, si rritja më e ngadaltë ekonomike, tronditjet e jashtme, apo detyrimet e papritura qeveritare, si dhe presionet graduale nga demografia, emigracioni dhe ndryshimet klimatike”, thuhet në përgjigjen e BB-së.

Banka Botërore dhe Qeveria mbajnë dialog mbi financat publike, përmes punës analitike, këshillave teknike dhe mbështetjes për reforma. Ky institucion ka bërë të ditur se, në anën e shpenzimeve, këshillat e tij janë përqendruar në përmirësimin e balancës midis shpenzimeve rrjedhëse dhe shpenzimeve kapitale që mbështesin rritjen ekonomike, si dhe në shënjestrimin më të mirë të transfereve sociale. Në anën e të ardhurave, Banka Botërore ka bërë të ditur se ka inkurajuar përpjekjet për të mobilizuar më shumë të ardhura vendore, duke zgjeruar bazën tatimore dhe përmirësuar pajtueshmërinë, në mënyrë që të ardhurat të mbajnë hapin me nevojat për shpenzime.