Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria nuk përmbush kërkesat e KGJK-së dhe KPK-së

Objekti i Qeverisë së Kosovës

Objekti i Qeverisë së Kosovës

Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial kanë konfirmuar se Qeveria nuk i ka buxhetuar kërkesat për staf shtesë dhe as shumë nga ato për projekte kapitale. KPK-së i është ndarë vetëm gjysma e buxhetit të kërkuar, ndërsa KGJK-së 15 milionë euro më pak

Në projeksionet buxhetore për 2027-n, Qeveria nuk ka përfshirë kërkesat e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.

Në organin drejtues të sistemit prokurorial kanë treguar se në projektbuxhet figurojnë 21 milionë euro, që është gjysma e mjeteve të kërkuara, me qëllim të rritjes së numrit të prokurorëve dhe stafit administrativ.

“Buxheti i kërkuar dhe i aprovuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës është rritja e numrit të prokurorëve dhe stafit administrativ (185 pozita të reja), si dhe 42,343,114.00€ për katër programe dhe 5 kategori ekonomike”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Sipas KPK-së, mosaprovimi i asnjë pozite shtesë do të ndikojë negativisht në funksionimin e sistemit.

“Duke marrë parasysh numrin e madh të lëndëve në proporcion me numrin aktual të prokurorëve, mosaprovimi i pozitave shtesë do të shkaktojë mbingarkesë te prokurorët dhe stafi administrativ, grumbullim të lëndëve dhe ulje të efikasitetit në trajtimin e lëndëve”, thuhet në përgjigje.

Në mungesë buxheti, në KPK kanë thënë se nuk mund të zbatohet as projekti për ndërtimin e objekteve për Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Prokurorinë e Apelit, atë Speciale dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e për të cilat është siguruar parcela. Të njëjtin fat do ta kenë edhe projektet për ndërtimin e objekteve për Prokurorinë Themelore në Prizren dhe atë në Mitrovicë.

Ndërkohë për KGJK-në është planifikuar buxhet prej mbi 41 milionë eurosh. Por, në këtë institucion kanë thënë se kërkesa ishte për 15 milionë euro më shumë dhe ishin planifikuar paga për 252 pozita të reja.

Juristët kanë shprehur pikëpamje të ndryshme për mospërmbushjen e kërkesave të këtyre institucioneve nga ana e qeverisë.

Anton Nrecaj ka thënë se nëpërmjet kësaj ndarjeje buxhetore synohet kontroll në sistemin e drejtësisë.

“Sipas këndvështrimit tim vjen si pasojë e një tendence të kapjes ose marrjes në kontroll të këtyre dy institucioneve të cilat sipas Kushtetutës janë komplet pushtet i pavarur nga legjislativi dhe nga ekzekutivi. Varshmëria e aspektit financiar i këtyre dy institucioneve natyrisht që e ka edhe efektin e zvarritjes së proceseve gjyqësore dhe vonesën e drejtësisë për qytetarët”, ka thënë Nrecaj.

Por, avokati Valdet Hoxha thotë se në parim është e pamundur që niveli qendror t’i përmbushë të gjitha kërkesat e të gjitha organizatave buxhetore. 

“Të ndahet një buxhet i mirëplanifikuar nga këto organizata buxhetore dhe natyrisht që të përcillet pastaj me kërkesë për llogaridhënie si menaxhohen këto burime dhe si janë shfrytëzuar këto mjete në funksionimin e këtij mekanizmave, respektivisht këtyre mekanizmave dhe në bazë të kësaj pastaj të kërkohen edhe rezultatet konkrete dhe të arrihet objektivi shtetëror për një drejtësi efikase, efektive e cila do të ishte një bazë e qëndrueshme e zhvillimit”, ka thënë Hoxha.

Edhe Komisioni Evropian ka evidentuar mungesë progresi në funksionimin e gjyqësorit, duke vënë në pah kapacitetet e pamjaftueshme institucionale dhe burimet e kufizuara.