Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qendrat për Punë Sociale me mungesë stafi e kushtesh për punë, një punonjës trajton qindra raste

QPS

Pa staf të mjaftueshëm dhe pa kushte pune, qendrat për Punë Sociale në Kosovë përballen me sfida në ofrimin e shërbimeve për qytetarët më në nevojë. Qendrave u mungon gjithçka: nga punonjësit, automjetet e deri te kompjuterët në zyrë. Shembull, një punonjës në Prishtinë, obligohet të trajtojë deri në 300 raste

Me vetëm katër punonjës socialë, pa psikolog dhe me mungesë të kushteve të nevojshme, Qendra për Punë Sociale në Fushë-Kosovë vazhdon të ofrojë shërbime dhe mbrojtje sociale për qytetarët në nevojë.

Si kjo qendër, mungesë të stafit profesional dhe të kushteve kanë edhe qendrat e tjera në vend.
Drejtori i qendrës në Fushë-Kosovë, Abaz Xhigolli, thotë se, pavarësisht problemeve, përpiqen t’u ofrojnë qytetarëve shërbimet e nevojshme.

“Aktualisht, ky institucion, shërbimet sociale i kryen me katër punëtorë, të cilët ofrojnë shërbime për një numër të madh të kategorive. Edhe këto kategori, kur ne i menaxhojmë, kanë mori nevojash. Ne kemi adresuar te drejtoria përkatëse këto sfida, kemi kërkuar që së pari të rritet stafi pranë këtij institucioni, të paktën nga viti i ardhshëm të shtohen. Edhe kjo drejtori, edhe kryetari janë duke u bindur, sepse kjo është më se e domosdoshme. Përveç kuadrit, kemi kërkuar kushte shtesë dhe po shpresojmë që do të përmbushen”, ka thënë ai.

Përveç mungesës së stafit, qendra përballet edhe me mungesë të automjeteve dhe të kompjuterëve. Vështirësi paraqet edhe mungesa e qasjes në rrugë, pasi punonjësit dhe qytetarët detyrohen të kalojnë nëpër një parcelë private për të hyrë në objekt. 

Për mungesën e stafit është ankuar edhe drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Adelinë Sahiti. Sipas saj, në kryeqytet janë vetëm 15 punonjës socialë dhe secili prej tyre obligohet të trajtojë me qindra raste.

“Kemi jashtëzakonisht numër të vogël të punonjësve socialë dhe më vjen keq kur i shoh që bëhet me dorë nga kolegët tanë, të cilët janë të mbingarkuar. Ndodh edhe që një koleg yni i ka diku 300 lëndë, prej të cilave 300 duhet t’i trajtojë në baza ditore”, ka thënë Sahiti.

Nevoja për shtimin e stafit profesional është e pranishme edhe në Qendrën për Punë Sociale në Gjakovë.

Aktualisht, kjo qendër ka shtatë profesionistë, por bazuar në rastet që trajton, i duhen shumë më tepër.

“Numri aktual i stafit paraqet sfidë në raport me numrin dhe kompleksitetin e rasteve që kërkojnë trajtim. Në kuadër të Shërbimeve Sociale dhe Familjare janë të angazhuar shtatë profesionistë: një zyrtare me profil të mirëqenies sociale, një jurist, katër psikologë dhe një psikologe klinike. Katër prej tyre janë të licencuar. Nevojat kryesore të Qendrës janë shtimi i stafit profesional dhe plotësimi i profileve të specializuara”, thuhet në përgjigjen e kësaj qendre.

Në Qendrën për Punë Sociale në Mitrovicën e Jugut janë 19 zyrtarë të punësuar, por sipas përgjigjes, duhen edhe disa të tjerë, e po ashtu edhe disa automjete.

“Duke marrë parasysh nevojat e qytetarëve, ngarkesën e punës dhe shtimin e kërkesave për shërbime, vlerësojmë se nevojitet angazhimi i gjashtë punonjësve të rinj. Ndërkaq, një nga nevojat kryesore mbetet sigurimi i dy automjeteve të dedikuara ekskluzivisht për Qendrën për Punë Sociale. Edhe pse, sipas mundësive, shfrytëzohen automjetet komunale, natyra e punës së QPS-së kërkon mobilitet të vazhdueshëm për vizita në terren, trajtimin e rasteve urgjente, vlerësimet sociale dhe realizimin e detyrave që lidhen me mbrojtjen e personave në nevojë”, thuhet në përgjigjen e Qendrës për Punë Sociale në Mitrovica e Jugut.

Qendrat për Punë Sociale ofrojnë shërbime dhe mbrojtje sociale për individët dhe familjet në nevojë, përfshirë fëmijët, viktimat e dhunës në familje, personat me aftësi të kufizuara dhe kategoritë e tjera në nevojë.

Sipas Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare, punët profesionale në QPS kryhen nga punonjës socialë, juristë, psikologë dhe profesionistë të tjerë.

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, si dhe në Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me numrin e punonjësve socialë dhe psikologëve që duhet të ketë një Qendër për Punë Sociale. Deri në publikimin e tekstit, nuk ka marrë përgjigje nga ministritë. 

KOHA u është drejtuar edhe komunave ku veprojnë qendrat për masat që planifikojnë të ndërmarrin për shtimin e stafit dhe përmirësimin e kushteve, por as nga to nuk ka marrë përgjigje.