Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Psikiatria Forenzike e tejmbushur, shumë pacientë marrin trajtimin në institucione tjera

111

Për pasojë, disa persona që kanë nevojë për trajtim psikiatrik presin vendimin për pranimin në këtë institucion ose marrin shërbime në institucione të tjera shëndetësore. Juristët dhe avokuesit e të drejtave të njeriut vlerësojnë se mbajtja në paraburgim e personave që kanë nevojë për trajtim të detyrueshëm psikiatrik ngre shqetësime serioze për respektimin e të drejtave të tyre

Të 36 shtretërit në katër repartet e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës janë të zënë.
Për shkak të mungesës së vendeve të lira, disa persona që kanë nevojë për trajtim vazhdojnë të marrin shërbime në institucione të tjera shëndetësore.

“Aktualisht, rreth 6 raste kanë të shqiptuar masën e trajtimit me ndalim në IPFK, por janë në pritje për plotfuqishmërinë e vendimeve nga gjykata, ndërsa 4 raste të tjera, për shkak të mungesës së vendeve të lira në IPFK, vazhdojnë të marrin shërbime në institucione të tjera shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK).

Nga IPFK-ja kanë thënë se, kur pranimi i personave nuk është i mundur për shkak të mungesës së kapaciteteve, ata referohen në institucione të tjera të shëndetit mendor.

Ndërkaq, për rastet kur personat ndodhen në paraburgim, institucioni bën të ditur se, në mungesë të vendeve të lira, gjykatat kërkojnë që paraburgimi të mbahet në qendrat korrektuese.

Por, juristja e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Fatmire Haliti, vlerëson se mbajtja e personave me çrregullime të shëndetit mendor në institucione që nuk u përgjigjen nevojave të tyre për trajtim, paraqet sfidë serioze për respektimin e të drejtave të njeriut.

Edhe Mungesa e kapaciteteve psikiatrike lë persona me çrregullime mendore në burgje Arbëri Mungesa e kapaciteteve psikiatrike lë persona me çrregullime mendore në burgje

“Mbajtja e personave me çrregullime të shëndetit mendor në kushte që nuk u përgjigjen nevojave të tyre, mund të kontribuojë në përkeqësimin e gjendjes së tyre psikike dhe të rrisë rrezikun e vetëlëndimit apo edhe të vetëvrasjeve. Fatkeqësisht, janë evidentuar edhe raste të tilla, gjë që e bën edhe më urgjente nevojën për ndërhyrje dhe përmirësim të mekanizmave të identifikimit, vlerësimit dhe trajtimit”, ka thënë Haliti.

Mbajtja e këtyre personave në paraburgim, të cilët kanë urdhëresë nga gjykata për trajtim të detyrueshëm psikiatrik, sipas avokatit Alban Muriqi, mund të përbëjë shkelje të të drejtave të njeriut.

“Institucionet korrektuese, duke përfshirë edhe Qendrat e Paraburgimit nuk janë institucione të dedikuara për këta persona pasi që nuk kanë shërbime adekuate dhe janë hapësira të mbyllura dhe thjesht e ushqejnë ose ndikojnë për të keq në shëndetin mendor”, ka thënë Muriqi.

Instituti i Psikiatrisë Forenzike është duke iu nënshtruar zgjerimit të kapaciteteve për të krijuar 80 shtretër në total. 

Ky zgjerim, sipas IPFK-së, është i rëndësishëm edhe për shkak të rritjes së nevojës për trajtime të psikiatrisë forenzike edhe në rastet e dhunës në familje.

“Sa i përket kërkesës për shërbime, vërehet rritje e nevojës për vlerësime dhe trajtime të specializuara të psikiatrisë forenzike, përfshirë rastet që lidhen me dhunën në familje. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve në këtë fushë”, thuhet në përgjigjen e IPFK-së.

Sipas të dhënave të ofruara për KOHËN, në IPFK aktualisht janë të angazhuar 2 psikiatër forenzikë, 5 psikiatër, 2 psikologë klinikë, 2 punonjës psikosocialë dhe 21 infermierë, si dhe personel administrativ dhe teknik. 

Edhe Opinion Trajtimi i traumave të luftës për veteranët: Një e drejtë vetëm në letër

Sa u përket pacientëve, 26 janë nën masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim, ndërsa 10 të tjerë në proces vlerësimi me kërkesë të gjykatave.

KOHA ka dërguar pyetje edhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës lidhur me masat e tilla që janë shqiptuar ndër vite, por që deri të dielën nuk ka pranuar përgjigje.