Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

IKD: Dënimi me kusht rrezikon të mbetet vetëm pezullim formal i burgimit

IKD

Dënimi me kusht në Kosovë po shqiptohet rrallë i shoqëruar me detyrime specifike, duke rrezikuar që ky dënim të mbetet vetëm një pezullim formal i burgimit. Kështu thuhet në raportin e ri të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), “(Mos)kushtëzimi i dënimit me kusht”.

Raporti trajton mënyrën se si gjykatat në Kosovë e zbatojnë dënimin me kusht, me fokus te detyrimet specifike që mund t’i caktohen të dënuarit gjatë periudhës së verifikimit.

Anesa Hoxha nga IKD-ja ka thënë se dënimi me kusht nuk duhet të shihet vetëm si pezullim i ekzekutimit të dënimit me burgim, por si një mekanizëm që synon rehabilitimin e kryesit, parandalimin e veprave të reja penale dhe, kur është e mundur, adresimin e pasojave ndaj viktimës.

Sipas saj, detyrimet specifike i japin përmbajtje këtij dënimi dhe e bëjnë atë më të matshëm e më të kontrollueshëm.

Gzim Shala nga IKD-ja prezantoi gjetjet e raportit, për të cilin janë analizuar 300 aktgjykime të viteve 2023, 2024 dhe 2025, ku janë evidentuar gjithsej 320 dënime me kusht.

Nga këto 320 raste, gjykatat kanë shqiptuar vetëm 17 detyrime specifike, ndërsa vetëm 12 nga 300 aktgjykimet e analizuara kanë përmbajtur ndonjë detyrim.

Kodi Penal parasheh 15 lloje të detyrimeve, por në rastet e analizuara janë përdorur vetëm gjashtë prej tyre. Ndër më të shpeshtat ishin kompensimi i viktimës, ndalimi i përdorimit të alkoolit ose drogës dhe trajtimi mjekësor apo rehabilitues.

IKD-ja e veçon si problem edhe mungesën e arsyetimit të gjykatave. Në 288 aktgjykime ku është shqiptuar dënim me kusht pa ndonjë detyrim specifik, gjykatat nuk kanë shpjeguar pse nuk ishte i nevojshëm një detyrim i tillë.

Sipas IKD-së, kjo e bën të paqartë nëse gjykatat e kanë shqyrtuar fare mundësinë e shqiptimit të detyrimeve specifike në rastet konkrete.

Raporti trajton edhe rolin e Shërbimit Sprovues. Në 23 raste ishte urdhëruar mbikëqyrja nga ky shërbim, por në 18 prej tyre nuk ishte përcaktuar ndonjë detyrim konkret që duhej të mbikëqyrej. IKD-ja vlerëson se kjo krijon paqartësi mbi përmbajtjen e mbikëqyrjes dhe rrezikon që ajo të mbetet vetëm formale.

Një tjetër gjetje lidhet me recidivizmin. Në gjysmën e aktgjykimeve të analizuara, gjykatat nuk kanë evidentuar nëse personi ishte dënuar më parë.

Ndërkaq, në 28 raste ku aktgjykimi evidentonte se personi kishte të kaluar penale, gjykata sërish kishte shqiptuar dënim me kusht. Në disa prej këtyre rasteve bëhej fjalë edhe për përsëritje të së njëjtës apo të një vepre të ngjashme penale.

IKD-ja rekomandon që gjykatat të japin arsyetime më të plota për shqiptimin e dënimit me kusht dhe për mosshqiptimin e detyrimeve specifike. Po ashtu, rekomandohet që prokurorët të jenë më aktivë në propozimin e këtyre detyrimeve dhe që roli i Shërbimit Sprovues të përcaktohet më qartë.