Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnjë në Gjilan, arrestohet familjari i tyre

polic - policia - plagosje - arrest - vrasje

ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Një 27-vjeçar dhe një foshnjë janë gjetur pa shenja jete në një shtëpi në fshatin Demiraj të Komunës së Gjilanit, të dielën, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Ai ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet përkatëse dhe ekipi emergjent mjekësor, ndërsa nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete.

“Më 01.11.2026 në orën 08:47 kemi pranuar informacion se në një shtëpi në fshatin Demiraj të komunës së Gjilanit, dyshohet për dy trupa të pajetë, një person i gjinisë mashkullore i vitit të lindjes 1999 dhe një foshnjë. Me urgjencë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete. Me vendim të Prokurorit të Shtetit trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, thuhet në njoftim. 

Pak orë më vonë, Polica ka njoftuar se ka arrestuar një 65-vjeçar në fshatin Demiraj i dyshuar për vrasjen e djalit të tij 27-vjeçar dhe foshnjës.

Hashani ka thënë se 65-vjeçari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, Hashani ka thënë se dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes.

“Me urgjencë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete. Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes, ku në cilësinë e personit të dyshuar është arrestuar babai i viktimës, i cili me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë”, ka thënë Hashani. 

Hashani ka thënë se në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për ndriçimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, i cili është cilësuar si vrasje e rëndë.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Ky rast në Gjilan është regjistruar vetëm një javë pasi në Pejë, një grua është vrarë në shtëpinë e saj. Për vrasjen me sëpatë është arrestuar ish-kunati i saj.

Tashmë e ndjera, Arlinda Zekaj, në disa raste kishte kërkuar ndihmë përmes letrave të shumta nga Prokuroria, Policia dhe Gjykata.

Për këtë rast, janë suspenduar 11 punonjës policie dhe dy prokurorë në Pejë, ndërkohë drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqjen. Për rastin, në Prishtinë janë duke u mbajtur vazhdimisht protesta, ku po kërkohet dorëheqja e dy ministrave, Xhelal Sveçlës dhe Donika Gërvallës.