Zgjedhjet 2025

Prokuroria pretendon se kryesuesi i KKZ-së në Prizren pranoi formularë të panënshkruar dhe s’lejoi rinumërim

Prokuroria Themelore në Prizren pretendon se kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor i ka shpërfillur kërkesat për rinumërim kur komisionerët i kanë shprehur dyshime për parregullsi. Kryesuesi i KKZ-së dyshohet për keqpërdorim detyre, ndërsa për falsifikim të rezultatit dyshohet edhe familjari i kandidatit Fetah Paçarizi, H.P, për të cilin gjykata gjeti se ekziston dyshimi i bazuar se e ka manipuluar rezultatin për mbi 4900 vota.

Nysret Bytyqi, kryesues i Komisionit Komunal Zgjedhor, dyshohet se i ka refuzuar qëllimisht kërkesat për rinumërim për kutitë ku pati parregullsi.

Në bazë të aktvendimit për paraburgim ndaj tij dhe një familjari të kandidatit Fetah Paçarizi, Prokuroria Themelore në Prizren pretendon se Bytyqi me dashje nuk i ka përmbushur detyrat e tij, ndër të tjera edhe duke pranuar procesverbalet e rezultateve të cilat nuk ishin nënshkruar nga komisionet e numërimit të votave.  

“...nuk i trajton ankesat dhe lejon evidentimin dhe regjistrimin e votave në favor të kandidatëve që realisht nuk i kanë fituar ato vota, duke pranuar procesverbale të numërimit të votave nga ekipet e numërimit që nuk janë të kompletuara pasi kanë munguar nënshkrimet e kryesuesit të komisioneve në dy raste dhe atë në vendvotimin 2027/02 dhe 2020/03 si dhe në një rast të vendvotimit me numër 2004/08 ka lejuar që në vend të nënshkrimit të vendosen inicialet e kryesuesit E. M., pasi që i njëjti nuk kishte pranuar t’i nënshkruante për shkak të parregullsive gjatë numërimit, po ashtu edhe pas kërkesës së komisioneres me inicialet A.V për rinumërim të kutisë së votimit me numër 2038/03 për shkak se e njëjta kishte parregullsi gjatë numërimit, i njëjti nuk lejon rinumërimin pasi që ka konsideruar se nuk ka pasur ankesa, kështu me këto veprime i pandehuri ka dëmtuar qytetarët në votën e tyre të lirë dhe ka dëmtuar kandidatët për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktvendimin.

Duke e kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj Bytyqit, avokati Sylejman Klinaku i ka thënë gjykatës se prokurorisë iu ka ngatërruar roli i të mbrojturit të tij dhe se i ka paraqitur gabimisht edhe detyrat e tij në kërkesë për paraburgim.

Ndërsa H.P, familjar i Fetah Paçarizit që sipas prokurorisë ishte kryesues, dyshohet se i ka manipuluar rezultatin për 4923 vota, duke i hequr 3347 dhe duke i shtuar 1576 vota për kandidatët.

Avokati i tij, Afrim Paçarizi, i ka thënë gjykatës në Prizren se klienti i tij nuk duhet të trajtohet si person zyrtar meqë nuk është trajnuar apo certifikuar siç e parasheh ligji.

“...(Ai) thekson se i mbrojturi i tij ka ushtruar veprimin në procesin e futjes së të dhënave në rastin e numërimit të votave në QKN në sistem, por i njëjti nuk ka marrë trajnim ose certifikuar nga KQZ, ashtu siç parashihet me nenin 74 par.6 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili në vazhdim parasheh: “Çdo anëtarë i KVV i cili nuk merr pjesë në trajnime të organizuara nga KKZ, pa ndonjë arsye të bazuar parandalohet të punojë në ditën e zgjedhjeve”, andaj statusi formal i anëtarit të komisionit me rastin konkret të mbrojturit të tij i mungon. Bexhi identifikues i dhënë nga përfaqësuesi i subjektit politik nuk e krijon automatikisht statusin formal dhe nuk mund të përdoret nga prokuroria për të aplikuar par.2 të nenit 216 të KPRK-së”, thuhet në aktvendim. 
Kodi Penal parasheh që anëtarët e komisioneve apo personat e tjerë zyrtarë nëse keqpërdorin pozitën duke falsifikuar rezultatin zgjedhor dënohen me tre deri në pesë vjet burgim.

Dënim dukshëm më i ulët prej një deri në tre vjet burgim parashihet për personat që nuk e kanë bërë këtë në kapacitet zyrtar.

Avokati Paçarizi i ka thënë gjykatës po ashtu se “manipulimi masiv i votave” që e paraqiti si arsye për paraburgim prokuroria nuk është fare kusht për paraburgim i paraparë në Kod të Procedurës Penale.

Por, Gjykata në Prizren, e mori parasysh numrin e madh të votave të manipuluara, dyshimet për abuzim me vullnetin e lirë të qytetarëve e edhe dëmtimin e zgjedhjeve të lira – si vlerë me të cilën mburret shoqëria kosovare.

“...duke marrë parasysh peshën e veprës penale e cila është e natyrës së rëndë, mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet rrezikshmëria shoqërore e veprës penale e cila konsiston në faktin se dyshohet se këta të pandehur kanë kryer vepër penale kundër të drejtave të votimit dhe kanë abuzuar me vullnetin e lirë të qytetarëve – votuesve, të drejtën e tyre të garantuar me kushtetutën e Republikës së Kosovës për paprekshmërinë e votës dhe të drejtën e zgjedhjes së lirë, faktin se ka tronditur mbarë opinionin publik të Republikës së Kosovës dhe kanë dëmtuar imazhin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike për çka është shquar si vlerë e shoqërisë kosovare deri më tani, po ashtu për shkak të numrit të madh dhe masiv të votave që janë keqpërdorur vijmë në përfundim se ka ekzistuar edhe shkalla e lartë të dashjes për kryerjen e këtyre veprave penale, numrin e madh të votave të hequra dhe të shtuara”, thuhet në aktvendim.

Për të dy të pandehurit gjykata ka vlerësuar se mund ta prishin hetimin duke prishur prova apo ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve.

Si avokati Klinaku, ashtu edhe avokati Paçarizi kanë paralajmëruar se do të parashtrojnë ankesë në apel kundër vendimit të Themelores.