OpEd

Ndodh edhe kjo - të gjithë i fituan zgjedhjet

Zgjedhjet lokale japin mundësi që të gjithë të shpallin fitore. Pas përmbylljes së rundit të dytë për zgjedhjet e kryetarëve të komunave, të gjithë liderët e partive kryesore shpallën fitore, duke vlerësuar veçoritë e komunave ku kandidatët e tyre fituan. Dhe të gjithë dolën për të festuar aty ku kanë fituar dhe nuk shkuan për ngushëllime aty ku humbën. Akoma pa u përmbyllur zgjedhjet lokale ka nisur fushata për ato parlamentare që janë të pashmangshme. Dhe kjo gjendje e fushatës permanente zgjedhore e bën Kosovën humbëse me ngërç dhe jostabilitet politik

Rrallëherë ndodh që zgjedhjet lokale të zgjojnë interes të madh ndërkombëtar. Dhe, thënë të drejtën, nuk është mirë sikur për zgjedhje të tilla të ketë interes jashtë vendit. Këto zgjedhje lokale në Kosovë ishin pikërisht të tilla. Ato zgjuan interes të madh në Serbi, por edhe në Bashkimin Evropian. Arsyeja është e qartë dhe ajo është situata në veri të Kosovës. Kjo pjesë e Kosovës ka rëndësi të veçantë dhe është fokusi kryesor ndërkombëtar. Veriu është në qendër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet në Bruksel. Dialogu edhe nisi për shkak të veriut të Kosovës, marrëveshjet e shumta kishin të bëjnë me veriun dhe qëndrimet ndaj veriut ndikojnë edhe në dinamikën e dialogut. Prandaj edhe BE-ja është më së shumti e interesuar për veriun. Për shkak të veriut të Kosovës, BE i vendosi sanksione Kosovës dhe nuk do që t’i heqë deri sa të mos sigurohet se Lista Sërpska të marrë pushtetin komunal në atë pjesë, diçka që i takon logjikshëm në bazë të votave dhe fitores që ka arritur në zgjedhjet lokale.

Edhe tash pas përfundimit të rundit të dytë, BE-ja do të përshëndesë faktin se ato janë zhvilluar si duhet dhe do të bëjë ftesë për transformimin e shpejtë dhe të rregullt të pushtetit lokal në veri. Këtë e thanë qartë edhe javën që lamë pas gjatë prezantimit të Raporteve të Progresit. BE-ja e lidhi qartë heqjen e masave ndaj Kosovës me dorëzimin e pushtetit komunal në veri te Lista Sërpska. BE-ja në raportin për Serbinë përsëriti se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës në nivel lokal ka shënuar “kthimin më të ashpër prapa” të Serbisë në përmbushjen e obligimeve nga dialogu. Prandaj tash BE-ja si fitore të madhe e sheh pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe si nisje e kthimit të tyre në strukturat e Kosovës. Kjo do të ndihmojë në njërën anë që Kosovës t’i hiqen masat, ndërsa edhe Serbisë t’i hiqet një notë negative në raportimet e BE-së.

Jashtë interesit për veri, në BE nuk ka aspak interes se kush do të jetë kryetar në Viti, Obiliq, Suharekë apo Junik. Ato janë krejtësisht çështje të brendshme të Kosovës, me gjithë rëndësinë që pushteti lokal ka për zhvillimin e demokracisë, ekonomisë, infrastrukturës apo mjedisit. Interes ndërkombëtar për këto zgjedhje, jashtë ndikimit që do të kenë në kthimin e serbëve në veri në institucionet lokale të Kosovës, ka edhe për ndikimin që ato mund të kenë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Kosovë, pa marrë parasysh a do të zhvillohen në dhjetor apo në pranverë.

Por në Kosovë zgjedhjet lokale kanë një rëndësi të veçantë. Dhe ato janë një pasqyrë e mirë e pjekurisë politike të qytetarëve të Kosovës. Në këto zgjedhje edhe kësaj radhe është dëshmuar një emancipim i lartë i votuesve në Kosovë, të cilët nuk votojnë vetëm për një parti të caktuar si tifozë të saj, por shikojnë se kush është kandidati. Dhe aty ku kanë fituar kandidatët e caktuar, fitorja është më shumë e tyre sesa e partisë e cila e ka kandiduar.      

Zgjedhjet lokale japin mundësi që të gjithë të shpallin fitore. Pas përmbylljes së rundit të dytë për zgjedhjet e kryetarëve të komunave, të gjithë liderët e partive kryesore shpallen fitore duke vlerësuar veçoritë e komunave ku kandidatët e tyre fituan. Dhe të gjithë dolën për të festuar aty ku kanë fituar dhe nuk shkuan për ngushëllime aty ku humbën.

“Komuna ku fituam ka rëndësi të veçantë” mund të thotë një parti, tjetra thotë se komunat ku ne fituam “janë simbol i qëndresës”, apo “kanë rëndësi të madhe ekonomike”, apo “kanë simbol historik”, apo “janë të mëdha me numër banori” apo “janë të mëdha me territor”. Do të gjejnë argumente për të thënë se ata fituan, dhe mund të kenë të drejtë. Dhe do të gjejnë argumente për të fajësuar “padrejtësitë” për humbje, për fat të mirë nuk ka ankesa për “vjedhje votash” siç vazhdojmë të dëgjojmë në Shqipëri apo Serbi, vende shumë më të avancuara në procesin e integrimeve evropiane sesa Kosova. 

Akoma pa u përmbyllur zgjedhjet lokale ka nisur fushata për ato parlamentare që janë të pashmangshme. Dhe kjo gjendje e fushatës permanente zgjedhore e bën Kosovën humbëse me ngërç dhe jostabilitet politik. Edhe Raporti i Progresit i BE-së e ka parë këtë polarizim politik si arsyen kryesore për mungesën e ndonjë progresi domethënës të Kosovës. Zgjedhjet lokale mund të ndikojnë në tejkalimin e situatës vetëm nëse tash partitë ndihen më të lira për të bërë koalicione, parazgjedhore apo paszgjedhore dhe të formohet një shumicë e qartë pas zgjedhjeve të përgjithshme. E si do të reflektohen votat nga zgjedhjet lokale në ato parlamentare le të bëjnë llogari vet partitë si të duan. Vetëm le të dalë Kosova nga kjo derexhe në të cilën e kanë sjellë politikanët e saj të papërgjegjshëm.