Zgjedhjet lokale

BE-ja: Përshëndesim zhvillimin e zgjedhjeve, të zbatohet shpejt rezultati

Bashkimi Evropian Kosova

Bashkimi Evropian ka përshëndetur zhvillimin e rregullt të rundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe ka bërë thirrje që tash sa më shpejtë të implementohen rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Këtë e ka thënë një zëdhënës i BE-së duke komentuar zhvillimin e përgjithshëm të procesit zgjedhor në Kosovë.

 “Ne mirëpresim zhvillimin e rregullt dhe inkluziv të balotazhit të zgjedhjeve për kryetar komunash të dielën. Në bëjmë thirrje për implementim të shpejtë të rezultateve të zgjedhjeve”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.

 Burimet në BE rikujtojnë se zgjedhjet lokale, sidomos ato në pjesën e veriut të Kosovës, kanë rëndësi edhe për tejkalimin e tensioneve dhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Prandaj BE-ja disa herë ka përshëndetur pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje duke e parë si një nisje të kthimit të tyre në institucionet e Kosovës nga të cilat ishin larguar para tri vitesh. BE-ja e ka thënë këtë së fundi edhe në raportin e Progresit për Kosovën dhe në atë për Serbinë duke e quajtur largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës si një shkelje të rëndë të obligimeve nga marrëveshjet e dialogut për normalizimin e raporteve.

 Tash burimet e BE-së thonë se zhvillimi i duhur i zgjedhjeve lokale do të ndihmojë që BE t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Por, për këtë në BE thonë se do të presin që të zbatohen sa më shpejtë rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe që pushteti lokal edhe në komunat në veri të Kosovës t’u transferohet me shpejtësi dhe në mënyrë të duhur atyre që kanë fituar në këto zgjedhje.

 Në BE po ashtu kanë përsëritur se Kosova është duke vazhduar të humbë për shkak se nuk ka një qeveri me mandat të plotë dhe kjo ka qenë një prej pengesave kryesore që Kosova të bëjë më shumë progres në rrugën drejt integrimeve në BE dhe në përfitimin nga mjetet e BE-së që i ka në dispozicion e të cilat nuk mund ti përdorë, siç janë ato nga Plani i rritjes.