Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Serbia pas zgjedhjeve: Gjakderdhja është ndalur, por shërimi do të zgjasë shumë

Të gjitha supozimet janë se një nga përparësitë do të jetë integrimi i Serbisë në BE, ndërsa politika ndaj Kosovës, fatkeqësisht, do të mbetet e njëjtë si deri më tani, e pandryshuar. E robëruar në prangat e narrativës së Serbisë së Madhe... Po të më pyesnin mua, do të bëja atë që është më e mira për qytetarët e Serbisë, dhe kjo është, sigurisht, që pushteti i ri ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të nisë një epokë e re e normalizimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat, gjë që do t’u sillte përfitime, në kuadër të Evropës, qytetarëve të Serbisë dhe të Kosovës

Në Serbi ka ndodhur një ndryshim rrënjësor. Në mënyrë paqësore, pa dhunë dhe elegante, u largua nga skena një regjim autoritar dhe nacionalist. Akti i fundit autoritar i Vuçiqit ishte ai kur shpalli fituesit si fitues, megjithëse ende nuk kishte asnjë rezultat zgjedhor përpara se ai ta thoshte këtë.

Kushti që të arrihej një fitore e tillë ishte që kundër Vuçiqit të paraqitej një listë krejtësisht e zbrazët, kryesisht me emra të panjohur për publikun, pa asnjë bosht programor, përveç kërkesës që Vuçiqi të shkonte në shtëpi ose në burg.

Çmimi i kësaj do të ndihet tani, kur të fillojë marrja e pushtetit. Për Vuçiqin, sigurisht, do të jetë më e lehtë t’ua dorëzojë atyre pushtetin sesa do të ishte ta merrte pushtetin prej tyre. Sepse tani duhet të gjenden të gjithë ata njerëz për të gjitha ministritë dhe administratat, dhe ata duhet të tregojnë se çfarë nënkupton në të vërtetë pushteti i tyre.

Duke gjykuar nga qëndrimet e deritanishme të fituesve, përparësia e tyre nuk është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, megjithëse nuk mund të thuhet se ky është edhe qëndrimi përfundimtar, sepse ka edhe zëra të tjerë që do ta çonin përfundimisht Serbinë në familjen e shteteve të BE-së.

Megjithatë, kjo nuk do të jetë aspak e lehtë, sepse Serbia, si vend kandidat, ka përqindjen më të ulët të mbështetjes për Bashkimin Evropian. Pikërisht për këtë arsye, BE-ja, siç mendojnë shumë njerëz, e ka turpëruar rëndë veten në Serbi, duke e mbështetur Vuçiqin deri në fund.

Kur bëhet fjalë për marrëdhënien e fituesve të rinj ndaj Kosovës, nuk duhet pritur që këto marrëdhënie të ndryshojnë, që do të thotë se negociatat me BE-në nuk do të ecin lehtë, sepse Serbia gjatë negociatave duhet të përcaktojë se me cilat shtete kufizohet. Dhe kjo nënkupton njohjen e Kosovës.

Pak më shumë optimizëm se diçka mund të ndryshojë, ka shprehur bartësi i Listës Studentore, profesor doktor Ilija Srdanović, kardiokirurg në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad, i cili menjëherë pas fitores paralajmëroi vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën. Ndërsa akademiku Radomir Sajčić deklaroi se Kosova, sipas Kushtetutës, është pjesë përbërëse dhe e patjetërsueshme e Serbisë.

Sa i përket pushtetit të ri, ekzistojnë indikacione se ai do të jetë i përkohshëm, kalimtar dhe se pas një viti, më së shumti një viti e gjysmë, do të organizojë zgjedhje të reja, në të cilat do të krijohet një pushtet normal.

Kandidat serioz për kryeministër është zoti Shoshiq, i cili ka qenë guvernator i Bankës Popullore, gjë që ka njëfarë kuptimi për një qeveri kalimtare.

Kjo të kujton shumë zakonet e vjetra të socializmit real, kur qeveria merrej me ekonominë, ndërsa në prapaskenë ishte Byroja Politike, përkatësisht partia, e cila drejtonte çështjet e vërteta politike, megjithëse ka pak gjasa që dikush t’i drejtojë studentët nga jashtë.

Ndryshe, Vuçiqi e shihte veten aq të madh, saqë nuk mund ta kuptonte se pesë apo gjashtë milionë serbë dhe serbe do të ishin të mjaftueshëm për ta rrëzuar, por besonte se për t’i dhënë fund pushtetit të tij nevojitej një komplot i të gjithë botës.

Tani që autokrati serb i dha fund pushtetit të tij autoritar, ekzistojnë indikacione se deputetët e Partisë Përparimtare Serbe do të fillojnë të përçahen.

Ndërsa disa të tjerë mendojnë se Vuçiqi po përgatitet të shkojë në burg, të sakrifikohet për Serbinë dhe që më pas, ndoshta një ditë, të dalë triumfalisht nga burgu dhe të kthehet përsëri në fron.

Ai atëherë ndoshta nuk do të mund ta drejtojë partinë, për shkak të një lustracioni të mundshëm, por deri atëherë me gjasë llogarit edhe në shpërbërjen e Lëvizjes Studentore, të cilën e mban të bashkuar vetëm kundërshtimi ndaj Vuçiqit.

Të paktën është e mundur që Vuçiqi të përfundojë në burg dhe ai nuk do ta kundërshtojë fort këtë. Le të kujtojmë situatën pas rënies së Millosheviqit, Gjingjiqit dhe Koshtunicës.

Konsiderohet se Koshtunica urdhëroi vrasjen e Gjingjiqit, sepse me largimin e Millosheviqit u zhduk ajo që i mbante së bashku.

Kësaj here, sigurisht, nuk do të ketë vrasje, gjë që është e mirë.

Dy shtyllat e para të regjimit të vjetër që duhet të pastrohen në Serbi janë mediat dhe shërbimet e inteligjencës.

Kjo duhet të bëhet shpejt dhe do të ketë probleme, sepse do të përdoret sëpata në vend të bisturisë, kështu që, ashtu siç ka ndodhur tani në Hungari, do të pësojnë edhe disa njerëz që nuk duhet të pësonin, siç vlerësojnë disa analistë, si profesori Puhovski në Zagreb.

Do të largojnë një numër të madh gazetarësh që janë turp për profesionin e tyre. Pamja mediatike në Serbi është më primitivja në Evropë, por kjo do të shkaktojë një konflikt të ri.

Ashtu siç kanë ndodhur tashmë incidente me televizionet më besnike ndaj Vuçiqit, kur në ambientet e tyre hynë me forcë grupe qytetarësh, incidente në të cilat janë të përfshirë gishtat e regjimit, me qëllim që për këtë të fajësohet Lista Studentore.

Këtë e bëri edhe Vuçiqi nga një vendndodhje e panjohur, duke paralajmëruar se, nëse policia nuk reagon, ata do të organizohen vetë dhe do të dinë të mbrohen.

Përveç pastrimit të mediave propagandistike dhe helmuese, antistudentore dhe antipopullore, për të cilat kërkohet përgjegjësi dhe heqja e licencave të punës, si dhe dorëheqja e drejtoreshës së përgjithshme të RTS-së, gjë që edhe ka ndodhur, sigurisht që ekzistojnë mjaft vepra të tjera penale.

Si ato që kanë ndodhur, veçanërisht kur bëhet fjalë për grupet e dhunshme që fshiheshin pas policisë dhe rrihnin studentët dhe qytetarët që dilnin në rrugë.

Këtë e kishte Hitleri në vitet ’30.

Ata njerëz që rrihnin, godisnin me automjete, thyenin nofulla dhe për dy vjet keqtrajtonin njerëzit, nëse ka drejtësi, do të jenë të parët që do të përballen me të.

Pastaj do të shtrohet pyetja nëse hetimet do të arrijnë deri te Vuçiqi apo jo, për të cilin, sipas shkrimeve të revistës Time, thuhet se disa përfaqësues të qeverive evropiane e bindën në çastin e fundit të hiqte dorë nga një grusht shteti i dhunshëm pas humbjes zgjedhore.

Kështu, ai fjalë për fjalë u detyrua të hiqte dorë nga një kasaphanë e përgjakshme, duke u shtirur më pas sikur e kishte pranuar humbjen në mënyrë dinjitoze dhe ua kishte shpallur fitoren fituesve.

Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, ai nuk do të largohet nga Serbia.

Ndoshta do të zgjedhë të qëndrojë për një kohë të shkurtër në burg, në mënyrë që regjimi i ri të turpërohet, dhe ndoshta kështu do t’i mobilizojë edhe më shumë përkrahësit e vet që të rikthehen në zgjedhjet e reja.

Ndërsa ai ta paraqesë veten si dikush që është sakrifikuar heroikisht për Serbinë.

Por e gjithë kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë.

Megjithatë, nuk duhet harruar një mundësi mjaft reale që qeveria e re ndoshta as të mos formohet, nëse Vuçiqi vendos që deputetët e tij të mos i verifikojnë mandatet e tyre kur të thirret Kuvendi i ri për t’u konstituuar.

Sepse, sipas Kushtetutës së Serbisë, për konstituimin e Kuvendit nevojitet verifikimi i mandateve të dy të tretave të deputetëve, përkatësisht 167 deputetëve, ndërsa Lista Studentore ka fituar 140 mandate dhe varet nga deputetët e SNS-së nëse Parlamenti i ri do të konstituohet fare.

Sido që të jetë, Serbia vërtet ishte në buzë të varrit të vet.

Gjakderdhja është ndalur, por shërimi do të zgjasë shumë.

Pyetja është se çfarë do të kishte ndodhur nëse rezultati do të kishte qenë më i ngushtë dhe nëse Vuçiqi do ta kishte pranuar kaq qetësisht kalimin e pushtetit.

Dhe sikur bashkësia ndërkombëtare të mos e kishte frenuar Maksin e tërbuar.

Sepse fakt është se ditën e zgjedhjeve, vonë pasdite, forca të mëdha policore bllokuan qendrën e Beogradit.

Dhe gjithçka paralajmëronte se po shkohej drejt një përplasjeje dhe trazirash të mëdha, të cilat mund të ishin hyrje në një luftë civile.

Pikërisht atëherë pasoi një telefonatë dhe një paralajmërim nga dikush që të mos luante me zjarrin.

Është e mundur që të ketë qenë fjala edhe për një lloj “marrëveshjeje”, përkatësisht që Vuçiqi të jetë marrë vesh që t’i falen disa nga aferat më të rëndësishme, për të cilat Perëndimi e dinte se ai ishte i përfshirë.

Dhe më pas erdhi pranimi papritur i qetë i humbjes, pas të cilit me gjasë qëndron dikush tjetër.

A nuk ishte edhe Sllobodan Millosheviqi i papërgatitur ta pranonte humbjen, derisa Jelcini dërgoi shefin e diplomacisë, i cili i tha se duhej ta pranonte humbjen?

Vetëm se tani, në këtë rast, telefonata nuk erdhi nga Moska, ndërsa nëse ka ardhur nga Brukseli apo Uashingtoni, kjo nuk dihet.

Por dihet se mbreti i pakurorëzuar serb, Aleksandar Vuçiq, la pas vetes vendin e tretë më të korruptuar në Evropë, një shtet të së drejtës të shkatërruar, si dhe arsim, shëndetësi dhe sport të rrënuar.

Pasojat janë serioze dhe gjendja nuk do të mund të shërohet brenda natës.

Për fillim, është e domosdoshme që Serbia të rimëkëmbet politikisht dhe institucionalisht dhe të rehabilitohet në Evropë.

Para së gjithash, përmes përmirësimit të marrëdhënieve në rajon, përkatësisht normalizimit të marrëdhënieve me fqinjët e saj të parë.

Sepse Vuçiqi është grindur me të gjithë në Evropë.

Ndërsa tani është vendosur kontakti ndërmjet kryeministrit kroat dhe drejtuesve të Listës Studentore.

Fitorja e Lëvizjes Studentore në Serbi ka gëzuar jo vetëm një numër të madh njerëzish në Evropë, por edhe në të gjithë rajonin tonë.

Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, nuk ka dyshim se nën vëzhgim të kujdesshëm do të jetë edhe politika që Beogradi “i ri” do të ndjekë ndaj Rusisë, Kinës, SHBA-së dhe BE-së.

Dhe të gjitha supozimet janë se një nga përparësitë do të jetë integrimi i Serbisë në BE, ndërsa politika ndaj Kosovës, fatkeqësisht, do të mbetet e njëjtë si deri më tani, e pandryshuar.

E robëruar në prangat e narrativës së Serbisë së Madhe.

Me pretendimin se Kosova është ende pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë, duke mos e kuptuar ende se Kosova është shtet sovran, i pavarur dhe më vete tashmë prej 18 vjetësh dhe se ka rrugën e saj.

Prandaj, asnjë rishikim i Marrëveshjes së Brukselit, as i asaj të Ohrit dhe as i Marrëveshjes Franko-Gjermane, nuk mund ta vërë në pikëpyetje, ta kthejë gjendjen në të kaluarën apo ta rrezikojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të Kosovës.

Në vend të kësaj, po të më pyesnin mua, do të bëja atë që është më e mira për qytetarët e Serbisë, dhe kjo është, sigurisht, që pushteti i ri ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të nisë një epokë të re të normalizimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat, gjë që do t’u sillte përfitime, në kuadër të Evropës, qytetarëve të Serbisë dhe të Kosovës.

(Autori është gazetar dhe analist politik)