Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aleanca çon në Polici thirrjet për vrasjen e Haradinajve nga disa profile në Facebook

Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj,

Foto: Driton Paçarada

Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka thënë se deputeti Ramush Haradinaj e bashkëpartiaku i tij Daut Haradinaj po kërcënohen përmes rrjeteve sociale. Ai i ka quajtur “fushatë të egër, të orkestruar dhe jashtëzakonisht të rrezikshme” postimet që po bëhen nga një llogari në Facebook ndaj Haradinajve. 

Megjithatë, Xhemaili ka thënë se janë dhjetëra profile të tjera të rreme që po shpërndajnë sistematikisht shpifje dhe informacione të pavërteta. 

Ai ka veçuar një profil me emrin “Besmir Kelmendi”, i cili përdor fotografinë e Avni Rrustemit dhe e quan veten “Avni Rrustemi 2.0”. Sipas Xhemailit, ky profil, gjatë dy ditëve të fundit, ka zhvilluar një fushatë propaganduese me thirrje publike për vrasjen e Ramush Haradinajt dhe Daut Haradinajt.

“Ky profil po tenton të ndërlidhë qëllimisht emrin e familjes Haradinaj me rastin tragjik në Pejë, duke përdorur citate dhe pretendime të rreme të personave të përfshirë në atë ngjarje, me qëllim nxitjen e vetëgjyqësisë dhe akteve vëllavrasëse”, ka deklaruar Xhemaili.

Xhemaili ka bërë të ditur se kanë dorëzuar pranë Policisë së Kosovës dhe organeve të drejtësisë të gjitha të dhënat dhe provat për këtë profil dhe llogaritë e tjera të ndërlidhura.

“Ne do të ndjekim rrugën ligjore deri në fund për secilin individ që fshihet pas këtyre profileve dhe që prodhon apo shpërndan mesazhe të tilla terrorizuese”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Aleancës ka kritikuar edhe deklaratat e deputetëve të partisë në pushtet, të cilat, sipas tij, po i japin mbështetje kësaj fushate të linçimit dhe kërcënimit online.

Ai e ka cilësuar këtë si një përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga dështimi i institucioneve për parandalimin e rastit tragjik në Pejë.

“Tragjeditë njerëzore nuk mund dhe nuk do të lejohen të keqpërdoren për luftë politike e as për nxitje të dhunës. Autorët e këtyre kërcënimeve dhe nxitësit e tyre politikë shumë shpejt do të përballen me forcën e ligjit dhe të drejtësisë”, ka shkruar Xhemaili.