Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Tetë raste të dhunës në familje të paraqitura për 24 orë

Dhune

Tetë raste të dhunës në familje janë regjistruar për 24 orë në Policinë e Kosovës, katër prej të cilave në Prishtinë. 

Sipas raportit të PK-së, një grua ka raportuar se në vazhdimësi ka pasur dhunë psikike nga bashkëshorti, me të cilin nuk bashkëjeton që disa muaj. I dyshuari pas arrestimit është dërguar në mbajtje. 

Në një rast tjetër në Prishtinë, viktima ka raportuar se para disa kohe është kanosur nga ish-bashkëshorti dhe se ai posedonte armë në shtëpi. 

“Njësitë policore me urdhër të prokurorit kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshuar. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njoftoi PK.  

Dhunë psikike e kanosje ka raportuar edhe një grua në Prishtinë nga bashkëshorti i saj, i cili po ashtu është dërguar në mbajtje. Ndërsa edhe një i dyshuar, bashkëshort, është arrestuar por është liruar në procedurë të rregullt pasi u raportua nga viktima për dhunë fizike. 

Policia njoftoi tutje se në Gllogoc është arrestuar një i dyshuar për kanosje të bashkëshortes dhe është dërguar në mbajtje. E, në Obiliq një grua raportoi se bashkëshorti po i shkakton dhunë psikike. Policia nuk e ka hasur të dyshuarin në vendngjarje, ndërsa rastin po e heton. 

Në Pejë, një grua ka raportuar të premten se ishte ndarë prej disa muajsh nga bashkëshorti dhe se procedura e shkurorëzimit është në proces gjyqësor, por se i dyshuari po i dërgon mesazh dhe ka frikë nga ai.  

“Me 30.10.2026, është raportuar se viktima femër kosovare para disa muajve ishte ndarë nga bashkëshorti i saj me të cilin kanë dy fëmijë dhe se procedura e shkurorëzimit është në proces gjyqësor, por i dyshuari mashkull kosovar, vazhdon t’i dërgoj mesazh dhe se e njëjta ka frikë nga ai. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së për rastin në Pejë.

E një rast dhune në familje u paraqit në stacionin në Malishevë ku u raportua për fjalosje mes nuses dhe vjehrrit. Pas intervistimit, të dy janë liruar në procedurë të rregullt.