Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AUV asgjëson 5.56 tonë misër nga Serbia për shkak të nivelit të lartë të Aflatoksinës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar 5.56 tonë misër me origjinë nga Serbia për shkak të përmbajtjes së Aflatoksinës B1 mbi kufijtë e lejuar. 

Masat janë ndërmarrë ndaj tri subjekteve ekonomike, Agro Com Sh.P.K. në Fushë Kosovë, ku janë asgjësuar 3,270 kg misër, Thermo-1 Sh.P.K. në Prugoc të Prishtinës, ku janë asgjësuar 1,040 kg, si dhe NTP “Te Hysi” në Shtime, ku janë asgjësuar 1,250 kg, njoftoi AUV. 

Aflatoksina B1 (AFB1) është një toksinë e prodhuar nga disa lloje myqesh, e cila mund të kontaminojë drithërat, veçanërisht misrin. Ekspozimi i zgjatur ndaj saj mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit. Përmes ushqimit të kontaminuar për kafshë, ajo mund të shndërrohet në Aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht, duke paraqitur rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve.

AUV-i u ka bërë thirrje fermerëve, prodhuesve dhe tregtarëve të ushqimit për kafshë që të sigurojnë origjinën dhe gjurmueshmërinë e produkteve, të zbatojnë kushtet e duhura të ruajtjes dhe të mos përdorin apo tregtojnë misër për të cilin është konstatuar tejkalim i kufijve të lejuar të Aflatoksinës B1.