Dani Rodrik
Disa prej demokracive më të suksesshme jashtë Evropës janë vende të vogla që mbesin nën radar gjatë diskutimeve të tkurrjes demokratike. Tajvani, Uruguai, Kosta Rika, Mauritiusi dhe Botsvana, që të gjitha morën vlerësime të larta në renditjen e demokracisë të Economist Intelligence Unit (dy të fundit janë veçanërisht të rëndësishme si shembuj të demokracive afrikane jetëgjata). Mbase shpresat tona për t’i rindezur flakët e demokracisë duhet mbështeten te këto raste të pazakonta. Sikurse gjithçka tjetër, edhe demokracisë i duhen modele frymëzuese për t’i ndjekur. Ani se shembujt e rëndomtë të studimit më nuk janë më të vlefshëm, ka ende vende ku mbrojtës të demokracisë mund të gjejnë shpresë
Si një adoleshent që u rrita në Stamboll, e pata fatin të jem pjesë e një brezi i cili i pati afër vetes modelet demokratike që duhen ndjekur. Vendet evropiane si Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Suedia i ushqyen aspiratat tona për mirëqenie dhe demokraci, duke na dhënë shpresë për të ardhmen e rendit tonë të papërsosur politik. Përvojat e këtyre vendeve na treguan se rritja ekonomike, drejtësia sociale dhe liria politike jo vetëm që janë të përputhshme, porse edhe e forcojnë njëra-tjetrën.
Po ku do të shikojnë të rinjtë sot për ta gjetur një mesazh po kaq shpresëdhënës? Demokracia liberale dikur dukej e destinuar të jetë valë e së ardhmes. Por tani, prapakthimi demokratik është fenomen global, në të cilin Amerika e Donald Trumpit është shembulli më i dukshëm dhe më dramatik. Që nga fillimi i viteve 2010, “autokracitë elektorale” – regjime që mbajnë zgjedhje periodike, por nën kushte të represioni të përhapur – janë bërë formë dominuese e qeverisjes në mbarë botën. Gati 220 milionë njerëz më pak jetojnë sot nën demokraci liberale, sesa në vitin 2012.
Për më tepër, edhe “demokracitë elektorale” – një formë regjimi që mund t’i hapë rrugë demokracisë liberale – kanë humbur terrenin, duke qeverisur me 1.2 miliardë njerëz më pak sesa në vitin 2012. Këto regjime janë zëvendësuar me autokraci zgjedhore apo të mirëfillta, të cilat sot sundojnë me mbi 5.8 miliardë njerëz (2.4 miliardë e të cilëve janë shtuar që nga viti 2012).
Si fanar i demokracisë, Evropa nuk ndriçon më aq fuqishëm. Bashkimi Evropian luajti rol të madh në përforcimin e demokracisë gjatë transicionit të Evropës Lindore nga socializmi, teksa Çekia dhe Estonia u bënë ndër demokracitë liberale më të vlerësuara në botë. Por shumë të tjera – veçanërisht Polonia, Hungaria dhe Sllovakia – kanë bërë regres të theksueshëm, ndërkaq BE-ja ka qenë e pafuqishme për çfarëdo lidhur me këtë. Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, së fundmi iu bashkua presidentit rus, Vladimir Putin, diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, dhe me dhjetëra liderë të tjerë autoritarë në Pekin për ta ndihmuar presidentin Xi Jinping që ta festojë fuqinë ushtarake kineze.
Vendet prijëse evropiane mund të pretendojnë me të drejtë se demokracitë e tyre nuk kanë pësuar goditje aq të madhe sa ajo e Amerikës. Por, Evropa sot nuk projekton as forcë ekonomike e as kohezion politik. Vetëbesimi i saj duket se ka prekur fundin, siç dëshmohet nga mënyra se si BE-ja iu dorëzua kërcënimeve të Trumpit për tarifa.
Liderët evropianë prej kohësh shpresonin se integrimi do ta rrisë fuqinë dhe ndikimin e rajonit në skenën globale. Në vend të kësaj, BE-ja duket se është shndërruar në “një shtëpi të ndërmjetme, të përhershme” që e ushqen paralizën. Institucionet dhe proceset e saj i dekurajojnë vendet të veprojnë guximshëm të vetme, porse njëkohësisht i mungon kapaciteti për ta formuluar dhe për ta ndjekur një vizion të përbashkët.
Përderisa Evropa demokratike dështon të projektojë ndikim jashtë kufijve të saj, ata që ia dalin të ushtrojnë pushtet në skenën globale nuk janë më modele për t’u ndjekur. Pakkush mund të ketë pritur që Shtetet e Bashkuara të merrnin një kthesë kaq të thellë autoritare, pasi Trumpi e ka shndërruar vendin në një akter të lig pothuajse brenda natës. Ai njashtu ia bëri më të lehtë Kinës që të paraqitet si “i rrituri i përgjegjshëm në dhomë”, dhe Xija me shumë kënaqësi e ka veshur petkun e “barazisë sovrane”, “sundimit ndërkombëtar të së drejtës” dhe “multilateralizmit”.
Por askush nuk duhet mashtruar për natyrën e regjimit të Kinës. Arritjet ekonomike të saj nuk janë arsye për ta imituar politikën e saj. Kina mbetet vend thellësisht autoritar, ku pakicat shtypen ndërsa opozita politike ndalohet rreptësisht.
Për të gjetur pika të ndritura demokratike, ne duhet t’i kthejmë sytë kah vendet e papritura. Për shembull, Brazili dhe Afrika e Jugut – dy vende me të ardhura mesatare – e ndajnë veçantinë e rrallë që, pas mbërritjes buzë greminës autoritare, së fundi janë tërhequr prapa.
Mandati i Jacob Zumas si president i Afrikës së Jugut midis viteve 2009 dhe 2018 u pati karakterizuar me populizëm autoritar dhe korrupsion të gjerë, ndërsa ish-presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, refuzoi ta pranojë humbjen elektorale dhe e planifikoi një grusht shteti ushtarak (si edhe vrasjen e kundërshtarit të tij) më 2022. Megjithëkëtë, që të dy u pasuan nga liderë me kredenciale të forta demokratike – Cyril Ramaphosa në Afrikën e Jugut dhe Luiz Inácio Lula da Silva në Brazil.
Ajo që i bën këto suksese të jashtëzakonshme është se ndodhën nën rrethana që ekspertë të shkencave politike i konsiderojnë veçanërisht të pafavorshme për demokracinë. Jo vetëm që Afrika e Jugut dhe Brazili kanë ndasi të thella etnike, por janë edhe mes vendet më të pabarabarta në botë. Mendimtarë, duke nisur nga Aristoteli, kanë argumentuar se mungesa e hendekut të madh midis të pasurve dhe të varfërve është një parakusht për demokraci të qëndrueshme; por përvojat nga Brazili dhe Afrika e Jugut e ofrojnë një tablo shumë më të ndërlikuar – të atillë që i trimëron mbrojtësit e demokracisë.
Ka lajme të mira edhe në vende tjera, po ashtu. Në fund të vitit të shkuar, kur presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, e shpall sundimin e ligjit ushtarak për të parën herë që nga viti 1980, forcat demokratike dhe parlamenti iu kundërpërgjigjën. Brenda një periudhe kohore prej vetëm disa javësh, Yoon u përball me impiçment dhe u largua nga detyra. Edhe Kili njashtu ia dalë të mbetet një demokraci e qëndrueshme që nga përfundimi i diktaturës së gjeneralit, Augusto Pinochet (1973-1990).
Disa prej demokracive më të suksesshme jashtë Evropës janë vende të vogla që mbesin nën radar gjatë diskutimeve të tkurrjes demokratike. Tajvani, Uruguai, Kosta Rika, Mauritiusi dhe Botsvana, që të gjitha morën vlerësime të larta në renditjen e demokracisë të Economist Intelligence Unit (dy të fundit janë veçanërisht të rëndësishme si shembuj të demokracive afrikane jetëgjata).
Mbase shpresat tona për t’i rindezur flakët e demokracisë duhet mbështeten te këto raste të pazakonta. Sikurse gjithçka tjetër, edhe demokracisë i duhen modele frymëzuese për t’i ndjekur. Ani se shembujt e rëndomtë të studimit më nuk janë më të vlefshëm, ka ende vende ku mbrojtës të demokracisë mund të gjejnë shpresë.
(Dani Rodrik, profesor i Ekonomisë Politike në Shkollën Kennedy të Universitetit të Harvardit, është kryetar i Asociacionit Ndërkombëtar të Ekonomisë dhe autor i librit: “Shared Prosperity in a Fractures World: A New Economics for the Middle Class, the Global Poor, and Our Climate”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).