Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Kërkohet paraburgim për dy djemtë dhe nënën e tyre lidhur me vrasjen e 27-vjeçarit në Prizren

Foto ilustrim

Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tre të dyshuarve në rastin e vrasjes së 27-vjeçarit në fshatin Kobaj të Komunës së Prizrenit.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari me inicialet Sh. O., i cili ndodhet në ndalim 48-orësh, dhe një i mitur, i cili ndodhet në ndalim 24-orësh, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje. Ndërkaq, ndaj të dyshuarës A. O., e cila gjithashtu ndodhet në ndalim 48-orësh, është kërkuar paraburgim nën dyshimin për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 14 qershor 2026 në fshatin Kobaj, ku të dyshuarit dyshohet se, pas një konflikti të mëhershëm të shkaktuar nga mosmarrëveshjet lidhur me emërtimin e një rruge në lagjen e tyre, janë përfshirë fillimisht në një përplasje verbale dhe më pas fizike me viktimën A. O. dhe të dëmtuarin I. O.

Hetimet paraprake tregojnë se gjatë konfliktit janë përdorur mjete të mprehta – thika, me të cilat viktimat janë sulmuar dhe goditur. Si pasojë e plagëve të marra në pjesën e gjoksit, viktima A. O. ka humbur jetën, ndërsa I. O. ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat sipas autoriteteve kanë qenë të rrezikshme për jetën. Ai është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Prokuroria pretendon se veprimet e dy të dyshuarve janë kryer në bashkëkryerje dhe se ato janë nxitur nga e dyshuara A. O., e cila është nëna e të pandehurve.

Ndërkohë, organet e drejtësisë pritet të vendosin lidhur me kërkesën për paraburgim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar.

Një muaj paraburgim ndaj të miturit për vrasjen në Kobaj të Prizrenit

3 j. më parë / 15 qer 2026 15:48
Paraburgim

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të miturit me inicialet A.O., i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas njoftimit të gjykatës, masa e paraburgimit do të zgjasë deri më 14 korrik 2026.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, e cila, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe dëgjimit të palëve në seancën për caktimin e masës së sigurisë, ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë së Shtetit për paraburgim është e bazuar.

Gjykata ka arsyetuar se paraburgimi në këtë fazë të procedurës është i nevojshëm për zhvillimin e papenguar të hetimeve dhe për sigurimin e pranisë së të miturit para organeve të drejtësisë.

Ndërkohë, gjatë pasdites së 15 qershorit 2026, Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar edhe kërkesat për caktimin e paraburgimit ndaj dy personave të tjerë.

Bëhet fjalë për të dyshuarin Sh.O., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, si dhe për të dyshuarën A.O., e cila ndodhet në ndalim 48-orësh dhe dyshohet për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.

Këto kërkesa do të shqyrtohen nga Departamenti për Krime të Rënda, ndërsa gjyqtarja e procedurës paraprake pritet të caktojë seancën dëgjimore për masat e sigurisë brenda afateve ligjore.