Sporte të tjera

Rahoveci e fiton finalen e parë, i afrohet titullit

Hendboll

Rahoveci ka bërë të dielën mbrëma hap vendimtar drejt mbrojtjes së titullit të kampionit të Kosovës në hendboll.

Në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, Rahoveci e mposhti Kastriotin e Ferizajt në ndeshjen e parë të finaleë të plejofit në Superligën e Kosovës. Ndeshja ishte e fortë dhe goxha e tensionuar, kurse përfundoi 28:25.

Rahovecit i duhet vetëm edhe një fitore për ta fituar titullin e dytë rresht. Ndeshja e radhës është të enjten mbrëma në Ferizaj. Ndërkohë ndeshja e tretë eventuale do të luhet pas një jave në Rahovec.

Kastrioti e nisi ndeshjen me seri 3:0. Por vendasit u përgjigjën shpejt për epërsinë 6:4. Më pas u luajt ndeshje e barabartë deri në minutën e 20-të. Pas barazimit 12:12, vendasit shënuan shtatë gola rresht për ta përfunduar pjesën e parë me epërsi 19:12. Por ferizajasit nuk u dorëzuan. Rritën angazhimin në pjesën e dytë dhe u afruan në tri gola, 24:21. Ia dolën të afrohen disa herë në tri gola, por jo edhe më shumë.

Kështu festa në fund ishte për ”vreshtarët”.

Mali Luzha ishte më efikasi te Rahoveci me gjashtë gola. Pesë i shënoi Victor Alonso, katër prej tyre nga penalltia. Nga katër i shtuan Alban Haziri, Egzon Gjuka e Jon Muqolli.

Te Kastrioti, Lulzim Shabani i shënoi shtatë gola. Gjashtë i kishte Deniz Terziqi e nga katër Besnik Bytyqi e Beni Sula.

Në gjysmëfinale, Rahoveci e mposhti pas dy ndeshjeve skuadrën e Prishtinës. Ndërkohë Kastrioti e eliminoi me rezultatin 2:1, skuadrën pejane, Besa Famgas.

Stinorin e rregullt Rahoveci e ka përfunduar pa humbje të pësuar. Kishte vetëm një barazim, me Kastriotin. Ekipi ferizajas ishte i dyti në stinorin e rregullt. Kastrioti pak javë më parë e fitoi Kupën e Kosovës.